Qeveria shqiptare si gjithmonë e paaftë për të menaxhuar pandeminë e Covid-19, brenda hapësirës së vendit, si dhe sipas strategjive hap pas hapi të ekspertëve, vijon të kopjojë në mënyrë të shëmtuar në çdo hap, strategjitë e qeverisë italiane Conte 2.
Kryeministri Rama dhe stafi i tij, së bashku me dikasterin e ministrisë së Shëndetësisë e cila merret çdo ditë me pasojat e pandemisë prej tashmë 7 muajsh, kanë harruar se konteksti kohor, strategjik, demografik i Italisë me rreth 65 milionë banorë, ndryshon me kontekstin shqiptar, ku edhe në morinë e eksodeve të qytetarëve të ndërprera sporadikisht nga pandemia, i ka apo nuk i ka 2.6 milionë banorë.
Ndërkohë që qeveria italiane së bashku me Komitetin e tyre të ekspertëve ndërmerrte masën e radhës shtrënguese bazuar në progresionin e rritjes së rasteve me Covid-19, menjëherë qeveria shqiptare e imitonte formatin italian në mënyrë shabllonike, pa e përshtatur.
Qeveria Rama 2, duke mos përshtatur formatin e vendimeve të qeverisë italiane, mesa duket shpesh herë në përpjekje për të imituar, i ka “hasur sharra në gozhdë”.
Ndërkohë që qeveria italiane e shmangi përgjegjësinë nga pushteti qëndror, duke ia kaluar pushtetit lokal karantinimin e kontrolluar për herë të dytë, për shkak të rritjes së rasteve me Covid, qeveria shqiptare nuk ka se kujt t’ja lëri përgjegjësinë për një mbyllje të dytë, pasi të gjitha pushtetet i ka po vetë.
Tani që ndodhet edhe në kohën e fushatës zgjedhore, Rama po tenton shmangien e një mbylljeje të dytë, pasi do të kishtepër të një kosto të madhe elektorale si dhe një kosto të jashtëzakonshme ekonomike po ashtu. Një mbyllje e dytë do të ishte fatale për vendin!
Nga ana tjetër territori italian është shumëfish më i madh dhe si pasojë Roma zyrtare ka përdorur mbylljen e kontrolluar, ku rajone me më shumë rritje të numrit të rasteve me Covid, si Lombardia, të kenë kufizime në fasha orare deri në shkuarjen graduale në karantinim të plotë, duke i dhënë liri veprimi pushteteve lokale të rajoneve dhe provincave për të marrë vendimet bazuar në ecurinë e situatave.
Kur kryeministri italian Giuseppe Conte me vendim të qeverisë që kryeson vendosi me detyrim mbajtjen e maskës edhe në hapësira publike dhe në rrugë, nuk vonoi pak ditë dhe Rama po ashtu e vendosi me anë të një akti normativ i cili hyri në fuqi të enjten që kaloi, po të njëjtën masë. Për t’i dhënë një konotacion sa më tragjik dhe emergjent, Rama vendosi edhe një gjobë për të gjithë qytetarët që nuk e respektojnë vendosjen e maskës.
Por vendimi për vendosjen e maskës këtu nxorri edhe një tjetër handikap absurd, ku qytetarët ecnin në rrugë vetëm dhe gjobiteshin nëse nuk kishin maskë, por nga ana tjetër qytetarët e ulur në kafene pranë njëri-tjetrit në ambjentet e brendshme apo të jashtme të bareve, nuk gjobiten për mosmbajtjen e maskës!
Kësisoj kryeministri së bashku me këshilltarët, stafin dhe Komitetin Teknik, duhet që sa më parë të heqin dorë nga ky model i shëmtuar imitues së fqinjit tonë perëndimor dhe të kthehen me këmbë në tokë, duke ndërmarrë vendime dhe akte normative për lehtësimin e barrës së qytetarëve të këtij vendi dhe jo për t’ja vështirësuar më shumë jetesën në këtë kohë pandemie./GazetaReforma.com/