Arben Grori, i njohur dhe i akuzuar për një sër veprash penale, i cili aktualisht po vuan dënimin e tij në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin, mund të lirohet.
Çështja penale kundër tij është transferuar tashmë nga Tirana në Gjykatën e Elbasanit, pasi ajo e kryeqytetit shpalli moskompetencë për të gjykuar dosjen, edhe pse prej më shumë se një viti e gjysmë e mbante në “sirtar”.
Megjithatë “Tirana” ka vendosur që ta kalojë në Elbasan njohjen e vendimit të Gjykatës Italiane, e cila ka dënuar Grorin me burgim të përjetshëm.
Arsye për kalimin, togat e zeza të Tiranës e kanë marrë duke konsideruar faktin që Gjykata e Rrethit në Elbasan, mbulon territorin juridiksional të banimit të Arben Grorit, i cili aktualisht po vuan dënimin e tij në burgun e Peqinit.
Në Elbasan, dosjen e Grorit do ta marrë për shqyrtim gjyqtari Taulant Tafa. Kjo, pasi i dënuari përjetë arriti që të rihapte procesin gjyqësor ndaj tij, duke shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale të ndryshuar në 2017 dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kjo edhe pse vendimi i Italisë për të ishte njohur nga Gjykata e Tiranës. Ishin dy magjistratët Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari, ata që në vendimin e datës 20 maj 2019, pranuan kërkesën e tij për të rishqyrtuar dosjen për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.
Fati i Grorit
Vendimi i Apelit Tiranë, për Grorin, mund të sjellë lirimin e tij nga qelia në rast se gjyqtari Tafa, vendos që të ndryshojë kohën e dënimit nga të përjetshëm në 25 vite burgim.
Deri tani, Grori, ka kryer 18 vite burg, dhe në rast të ndryshimi për kohën e dënimit, mund të lirohet me kusht.
Ndërkohë, shoku i tij Gert Gjinarari, ose i njohur ndryshe si “Gjenerali”, më 14 shkurt 2019 u lirua me kusht nga gjyqtari Markeljan Kuqo, i cili është duke dhënë llogari para ILD-së për vendimin e marrë.
Një ditë pas marrjes së vendimit, Gjinarari u shpall në kërkim.
Si ndodhi vrasja e Naim Zyberit në Itali?
Pas hapjes së demokracisë Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë, Gaz Muçës.
Po kështu Zyberi është cilësuar një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin.
Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës.
Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë.
Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Në këtë spital ai u vra nga Gert Gjinarari, ku u qëlloi aty për vdekje me dy plumba.
Ai u vra më 6 gusht të vitit 1997 nga një atentat i organizuar nga tre persona ku qitësi ishte Gjinarari.
/GazetaReforma.com/