Skip to content
Të Gjitha

Ndryshime në Qeveri? Lirohet nga detyra Zv.ministrja e Financave. Ja emri dhe arsyet e shkarkimit

· 2 min lexim

Një vendim i papritur sot i firmosur nga ana e kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, lëvizi nga detyra njërën prej zëvendësministreve të Financave, ndërkohë që ende nuk është caktuar zëvendësuesi i saj.

Zëvendësministrja e Financave, Belinda Ikonomi, u lirua nga detyra.

Vendimi është firmosur sot nga kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërkohë që ende nuk është mësuar emri i zëvendësuesit të saj.

Nuk dihen arsyet e shkarkimit të Ikonomit nga detyra, e cila më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorisë së Doganave, por aludimet kanë nisur që të qarkullojnë në lidhje me mosarritjet e të ardhurave të parashikuara.

Prej kohësh, nga analistë dhe media pranë qeverisë janë paralajmëruar largimet nga Ministritë e kabinetit “Rama 2”.

Megjithatë, deri tani përveç lëvizjes së zv.ministrave, e vetmja “kokë” e larguar është ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila u zëvendësua nga Evis Kushi.

Një tjetër emër shumë i përfolur për t’u shkarkuar është ai i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Nga zërat nuk përjashtohet as kryediplomati në detyrë, Gent Cakaj.

Arsyeja

Zv.ministrja e Financave, Belinda Ikonomi, është liruar sot nga detyra, teksa shefja e saj ministrja Anila Denaj, ka treguar arsyen e largimit.

Me anë të një shënimi në facebook, Denaj thotë se, Ikonomi u largua nga detyra për t’ju bashkuar familjes jashtë shtetit.

Duke e falënderuar për punën e saj, Denaj thotë se, Ikonomi lë pas një marrëdhënie të përmirësuar me biznesin dhe në finalizim një sërë nismash pro sipërmarrjes të filluara vitin e shkuar.

Screenshot_9.jpg

Vendimi

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

/GazetaReforma.com/