Burime të brendshme për Iconstyle.com, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e anonimatit të tyre, kanë konfirmuar lajmin se vetëm disa ditë më parë të gjithë efektivët e policisë bashkiake duhet të bëjnë një normë ditore të detyrueshme prej 20 gjobash, duke gjobitur kalimtarët që thyejnë aktin e ri normativ të hyrë në fuqi javën e kaluar, për mbajtjen e detyrueshme të maskës në hapësirat publike.
Bëhet me dije se të gjithë punonjësve të policisë bashkiake u është bërë presion gjatë një mbledhjeje nga vetë shefi i Policisë Bashkiake, me urdhër të drejtëpërdrejtë nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, duke u vendosur ultimatum me bërjen e një norme ditore prej 20 gjobash për çdo punonjës, pasi në të kundërt kërcënoheshin me vendin e tyre të punës.
Gjobat mësohet se do të vendosen edhe nëse qytetarët do ta mbajnë maskën, por hundën e tyre jashtë saj. Ky supozohet se do të jetë një alibi e Policisë Bashkiake për të vendosur gjobat dhe për të mbushur arkën e bashkisë.
Ky kërcënim “me bukën e gojës”, është bërë tashmë një standart pune për të gjithë dikasteret e qeverisë vendore dhe qëndrore, gjë që sjell një efekt zinxhiror irritimi e pakënaqësie edhe në popullatë.
Theksojmë se ne si redaksi e Iconstyle.al, nuk jemi kundër mbajtjes së maskës në mënyrë të rregulltë, përkundrazi, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë në mënyrë rigoroze të gjitha protokollet e sigurisë anti-covid, mirëpo ky kërcënim i punonjësve bashkiakë me vendin e tyre të punës, është një akt kriminal dhe që sjell pasoja edhe te qytetarët. Kujtojmë se me “shtrëngimin e rripit” ndaj punonjësve të policisë bashkiake, këta të fundit do të bëjnë ‘kërdinë” me gjoba vetëm për të plotësuar kuotën ditore./Iconstyle.al/