Aleati i vjetër i PD-së, Fatmir Mediu, paralajmëron kreun e PD-së se nuk do të lejojë që republikanët të vendosen në fund të listatve të kandidatëve për deputetë. Kryetari i Partisë Republikane, Mediu, në një intervistë televizive tha se “Unë nuk shkoj pas dëshirës së zotit Basha… nuk besoj që ka ardhur te pika që të punoj si punëtor me mëditje për tjetrin”.
Në këtë kohë, kur PD po përgatitet t’i japë dorë e fundit listave për deputetë, Mediu kërkon më të mirën për partinë e tij.
“Atëherë, po e sqaroj edhe një herë. Kur ti bën një koalicion ka një vlerë politike, elektorale, historike, ka edhe një pretendim që e kanë të gjitha palët dhe në raport me të ti bën edhe interpretimin për sa u përket numrave dhe vendeve. Nuk është asnjë gjë që mund të jetë me dëshirë. Unë nuk shkoj pas dëshirës së zotit Basha. Unë përfaqësoj PR-në dhe autoritetin e PR-së. Për sa i përket pastaj se kush ka kontribuar dhe si ka kontribuar, kjo është një çështje që lihet për gjykim në dorën e votuesve shqiptarë. Por asnjë nuk besoj që ka ardhur te pika që të punojë si punëtor me mëditje për tjetrin”, u shpreh Mediu.
Ndërkaq Mediu përsëriti kërkesën e tij, se ky parlament duhet të shpërndahet nga Presidenti Meta, nëse ky institucion do të rrëzojë dekretin që do të kthejë Kodin Zgjedhor.
“ Sepse Kodi Zgjedhor është një kod tërësisht antikushtetues, antidemokratik dhe nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, një kod i ndërtuar në mënyrë të njëanshme si asnjëherë në historinë politike të këtij vendi, nga Edi Rama me qëllimin për të legalizuar vjedhjen dhe grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë. Në këtë pikëpamje unë mendoj që është shumë më i rëndësishëm procesi zgjedhor, liria dhe e drejta e qytetarëve shqiptarë për të votuar dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre. Pra për të shmangur një proces manipulativ duhet marrë qëndrim inekstremist me parlamentin në qoftë se e kthen dekretin e presidentit. Duke u nisur edhe nga një fakt tjetër, kam besuar dhe besoj që presidenti ka të drejtë në qëndrimin e tij për shpërndarjen e parlamentit për veprime antikushtetuese, të një parlamenti i cili është antikushtetues. Dhe këtë debat e kam shtruar në tryezën e partive politike të opozitës, që opozita duhet t’i bëjë një kërkesë Presidentit të Republikës që, nëse parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e presidentit, atëherë presidentit duhet të veprojë sipas atij qëndrimi që e ka bërë publik dhe e ka përsëritur herë pas here, bazuar në të drejtën e tij kushtetuese”, tha Mediu.
/GazetaReforma.com/