Po jetojmë në një kohë pandemie ku emergjenca nga koronavirusi është ngritur sërish në maksimum për të gjithë Europën, por duket se qeverisë shqiptare i intereson më shumë “xhepi” i saj.
Kështu duket të paktën nga ndarja e fondeve për buxhetin e vitit të ardhshëm, ku edhe pse koronavirusi është nëpër këmbë dhe nuk i dihet fundi, qeveria “Rama”, sërish “llokmat” e fondeve i ka parashikuar për PPP-të dhe inceneratorët.
Për këta të fundit debati politik është ndezur jashtëzakonisht ditët e fundit, edhe për faktin se për ditë po dalin në dritë fakte të reja të një abuzimi miliona euro që prek deri tek nivelet më të larta qeverinë “Rama”.
Por duke mbetur tek buxheti i shtetit, ai pritet të paguajë 14.5 miliardë lekë vitin e ardhshëm (gati 120 mln euro) për pagesat për 13 kontrata koncesionare aktive, sipas parashikimeve në relacionin e projektbuxhetit 2021.
Në krahasim me 2020-ën, kur shumë kontrata u ngrinë ose u reduktuan për shkak të situatës së vështirë të krijuar në buxhet nga Covid-19 (në total 7.9 miliardë lekë), pagesat për koncesionet do i rikthehen normalitetit në vitin 2021.
Kjo shumë e parashikuar për pagesa koncesionesh në vitin 2021 është sa rreth 16% e totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara.
Pagesa më e lartë është për koncesionin e rrugës së Arbrit, që është në ndërtim e sipër, me 4.1 miliardë lekë të parashikuara.
Por pritshmëria është gjithsesi më e ulët se ajo e institucioneve ndërkombëtare, përkatësisht -7.5% nga FMN, -9% nga BERZH dhe -8.4% nga Banka Botërore.
Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe do të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4.9% për periudhën afatmesme.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, ose 28.5% e Prodhimit të Brendshëm bruto. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 10.6%, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2% ose +37.1 miliardë lekë.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2021 është planifikuar 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB. Në krahasim me pritshmërinë e 2020-s, shpenzimet pritet të rriten lehtë me 1.4%.
Sipas deklarimeve zyrtare, shpenzimet do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rimëkëmbjes të ekonomisë, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.
Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB, ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë).
Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si dhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Koncesionet e shëndetësisë
Katër koncesionet e shëndetësisë, check-up, sterilizimi, dializa dhe ai i fundit i laboratorëve, pritet të marrin gjithsej 4.6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, që përbën gati një të tretën e gjithë pagesave për koncesionet në 2021.
Më i shtrenjti është sterilizimi, që pritet të marrë 1.7 miliardë lekë pagesa nga buxheti për sterilizimin e pajisjeve mjekësore gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Koncesioni i laboratorëve do marrë 1.28 miliardë leke pagesa për 2021. Ky koncesion filloi zbatimin në mesin e këtij viti. Check up dhe dializa do të marrin përkatësisht 876 milionë dhe 779 milionë lekë.
Këto pagesa do të jepen në një kohë që vendi është në një emergjencë shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19, teksa virusi ka hyrë në një fazë të dytë dhe nuk dihet sa do të vazhdojë. Të katër këto koncesione nuk kanë lidhje direkte, apo ofrojnë mbështetje për situatën e krijuar.
Por nga ana tjetër investimet për përballimin e koronavirusit, duket se nuk janë parashikuar fare, ose i ka mbetur vetëm një pjesë e papërfillshme, e investimeve në shëndetësi.
Inceneratorët gëlltisin pjesën më të madhe
Në draftin e 2021-it janë planifikuar dhe 2.2 miliardë lekë pagesa për inceneratorët. Konkretisht 1.38 miliardë lekë janë pagesa për “Ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, Tiranë”, nga 980 milionë lekë në vitin 2020.
Për “Ndërtimin, operimin dhe transferimin e inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier” pritet të jepen 752 mln lekë në 2021, nga 192 mln lekë të planifikuara këtë vit.
Rrugët
Në vitin 2021 parashikohet që të fillojnë punimet edhe për dy projekte të reja koncesionare në fushën e infrastrukturës, që u shtynë këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Rruga Milot-Balldre pritet që të marrë 65 milionë lekë pagesa, ndërsa rruga Orikum-Dukat me 394 milionë lekë.
Shërbimi i skanimit në dogana pritet të marrë 1.58 mld lekë, nga 1.14 mld lekë vitin e mëparshëm.
Ministria e Financave bën të ditur se kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare /PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit të mëparshëm nuk pritet të tejkalohet.
Një tjetër koncesion i ri që pritet të fillojë ai për përmirësimin e infrastrukturës arsimore të Bashkisë Tiranë, për të cilat parashikohen në buxhet 685 milionë lekë.
Për vitin 2021, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2020, është rreth 19.71 miliardë lekë.
Referuar Tabelës 12, për vitin 2021 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 14.46 miliardë lekë.
Rrjedhimisht, në buxhetin 2021 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej 14.46 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2021, përbën vetëm 3.7% të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2020, prej rreth 394.2 miliardë lekë, sipas relacionit të financave.
Por, nëse këto të ardhura nuk realizohen sipas planit (siç ka ndodhur për 10 mujorin), atëherë kufiri pritet të rritet.
Investimet prioritare
Sipas financave, në prioritetet e investimeve 2021-2023 do të jenë:
-Zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare nëpërmjet, ndërtimit, rehabilitimit dhe sistemimit të rrugëve kombëtare dhe përveç kësaj kalimin në praktikat e mirëmbajtjes së rrugëve bazuar në performancë;
-Investimi në ujësjellës, Reduktimi i humbjeve në nivel kombëtar në masën 50% në vitin 2023;
-Në vitin 2023 synohet që të trajtohen rreth 50% të mbetjeve me landfill-e sipas standardeve, nga 30% që parashikohet në fund të vitit 2019;
– Për industrinë parashikohet zhvillimi i strukturave dhe burimeve njerëzore dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për inspektimin dhe mbikëqyrjen, sigurinë në punë për monitorimin e inspektimit dhe mbikëqyrjes së sigurisë teknike të produkteve / pajisjeve / instalimeve në fushat e veprimtarisë së MIE;
-Për shëndetësinë parashikohet Mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë.
Borxhi do fillojë uljen
Këtë vit, borxhi publik pritet të arrijë në një nivel rekord prej rreth 81% të PBB-së.
Financat parashikojnë se borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse duke filluar që nga 2021, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% i pritshëm për këtë vit.
Ndërkohë që në afatin e mesëm, pasi të akomodohen nevojat kryesore të lidhura me efektet negative të dy goditjeve, financat publike do t’i rikthehen qartësisht trajektores konsoliduese.
Si në vitin 2020, parashikohet që të ketë një diferencë të lartë mes shpenzimeve dhe të ardhurave, çka do ta detyrojë qeverinë të marrë borxh për të realizuar projektet e saj të investimeve, në një vit elektoral.
Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB-së, nga rreth 6.8% i pritshëm për vitin 2020. Në vlerë absolute, deficiti buxhetor është parashikuar në 108 miliardë lekë, ose 880 milionë euro, nga gati 1 miliard euro, që është i pritshmi këtë vit.
Sipas relacionit, dy goditjet që pësoi vendi, në fillim nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia në vitin 2020, janë dy faktorët vendimtarë që kanë çuar në këtë përkeqësimin të përkohshëm të deficitit të përgjithshëm buxhetor dhe balancës primare. Edhe për vitin tjetër, rreth 1.7% e PBB janë planifikuar shpenzime për fondin e rindërtimit.
/Burimi: Monitor.al/Përshtati: GazdetaReforma.com/