Kina ka dislokuar raketën e saj më të përparuar hipersonike në zonat e bregdetare afër Tajvanit, për të ‘përgatitur për një pushtim të mundshëm’ të ishullit, ka zbuluar një raport.
Ushtria Çlirimtare e Popullit (PLA), e Pekinit, ka rritur praninë ushtarake në rajonet e Fujian dhe Zhejiang, duke vendosur raketa e saj shumë sekrete “DF-17” në zonë, sipas “South China Morning Post”, duke cituar një burim anonim ushtarak.
Një gazetë shtetërore kineze e ka quajtur raportin si ‘thjesht spekulim’. Por menjëherë pohoi se “DF-17” i Pekinit, ishte ‘e pamundur të përgjohej’ dhe mund ‘të parandalonte në mënyrë efektive separatistët e Tajvanit’.
Lajmi vjen ndërsa ushtria kineze është mburrur me aftësitë e saj luftarake dhe ka kryer stërvitje me zjarr të vërtetë mes tensioneve në rritje midis Kinës dhe Tajvanit, të vetë-qeverisur, të cilin Pekini e konsideron si të vetin.
Presidenti kinez Xi Jinping, u bëri thirrje ushtarëve dhe marinarëve të përqendrohen në gatishmëri për luftë dhe të qëndronin shumë vigjilentë, porosi që u dhanë gjatë një vizite në një bazë ushtarake në Guangdong të Kinës Jugore, javën e kaluar.
Një person i brendshëm i paidentifikuar, i tha medias se, përgatitja e perceptuar për luftë përfshinte vendosjen e “DF-17”.
Kjo e fundit, një raketë balistike me rreze të mesme, u zbulua zyrtarisht gjatë paradës ushtarake të Ditës Kombëtare të Kinës, më 1 tetor 2019.
Arma ka një distancë maksimale prej 2500 kilometrash dhe është e aftë të arrijë shpejtësi deri në 12,360 km/orë (ose 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit), ndërsa mban një kokë bërthamore, sipas raporteve të mëparshme.
Raketa është cilësuar si një “dënim me vdekje” për avionët ose anijet brenda rrezes së saj.
/Burimi: BBC/Përktheu: GazetaReforma.com/