Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, dhe kryeministri Edi Rama, kanë pasur ditën e djeshme për herë të parë një përballje ‘Live’ në një televizion.
Edi Rama publikoi një dokument ku parashikohej që Basha të jepte me koncesion Sharrën kur ishte kryetar bashkie, dhe kjo bëri që kreu i PD-së të ndërhynte me telefon në emisionin Opinion.
Përmes një lidhjeje telefonike, Basha akuzoi Ramën si hajdut teksa shtoi se kryeministri ua ka dhënë koncensionet personave me precedentë penalë dhe bandës së Lushnjes. Sipas Bashës, ka qenë Banka Botërore që ka dalë në përfundimin se Shqipëria nuk kishte nevojë për inceneratorë, por që mund t’i menaxhonte me land-fille, gjë që sipas Opozitës, Rama nuk e konsideroi, por bëri atë që deshi vetë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama, e vetmja gjë që tha është ‘Lul ik fli gjumë’, ndërsa në fund të telefonatës kërcënoi me fjalët ‘lëre se ika fare, na fute dhe këtë ti’.
Pjesë nga përballja mes Ramës dhe Bashës:
Blendi Fevziu: Zoti Basha, kryeministri ka cituar një kontratë të paekzekutuar tuajën për plehrat në Bashkinë e Tiranës, e cila kishte një kosto më të lartë se kjo e sotmja.
Lulzim Basha: E gjithë ajo çfarë ka thënë aty është një grumbull gënjeshtrash. Në vitin 2011, ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama bëri një memorandum mirëkuptimi me Bankën Botërore, me IFC për të hartuar një studim për plehrat e Tiranës. Në vitin 2011, pasi u largua nga bashkia, Bashkia e Tiranës nën drejtimin tim, autorizoi një studim vizibiliteti me bashkëpagesë nga BB dhe nga Bashkia e Tiranës, që Sharra e lënë në mjerim për 11 vite nga ish-kryebashkiaku Rama, të kishte një trajtim sa më dinjitoz për qytetarët e saj.
Blendi Fevziu: Ishte studim apo propozim më pas i juaji që ia kërkuat qeverisë të ekzekutohej?
Lulzim Basha: Studimi i vizibilitetit konkludoi, i hartuar nga specialistët e BB, jo nga anëtarët e bandës së Lushnjes, jo nga ODIHRi që bashkë me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve, por nga BB ekzistonte mundësia të arriheshin objektivat e Bashkisë së Tiranës, që ne ia kishim vendosur. Objektivi i parë ishte që brenda vitit të parë, të gjithë kontenierët e plehrave brenda unazës së vogël të Tiranës të futeshin nën tokë. Objektivi i dytë ishte që brenda 3 viteve të gjithë kontenierët e plehrave në gjithë Bashkinë e Tiranës, të futeshin nën tokë. Objektivi i tretë ishte që qytetarët e Tiranës të mos paguanin asnjë qindarkë më shumë për taksën e pastrimit dhe me taksën që paguanin atëherë jo sot, Tirana do të kishte kontenierë nën tokë dhe një trajtim në landfillin e Sharrës me praktika europiane…
Edi Rama: O artist, artist…
Blendi Fevziu: Po shkon 30 euro pa TVSH 10 vjet përpara. Ishte shifra këtu.
Lulzim Basha: Letrat janë zyrtare, janë në Bashkinë e Tiranës, janë dhe në kryeministri.
Blendi Fevziu: Rama o nga kryeministria o nga bashkia i ka marrë, po a është kjo shifra?
Lulzim Basha: Shifrat janë këto që ju them unë. Qytetarët e Tiranës nuk do të paguanin asnjë qindarkë më shumë shtetit shqiptar, pra qeverisë shqiptare.
Edi Rama: Vebiu do i paguante këto o Lul? Me Vebiun do i paguaje këto?
Lulzim Basha: I ke aty të gjitha. Ti kishe bërë në plan këtë që bëre. Ti theve një marrëveshje me qeverinë gjermane, GIZ, prej 2 milionë Eurosh taksapaguesve gjermanë. GIZ kishte këshilluar që Shqipëria nuk ka nevojë për inceneratorë, por mund t’i trajtojë mbetjet me landfille, të cilat duhet të mirë menaxhohen.
Edi Rama: Çfarë thotë ky?
Blendi Fevziu: Basha po të pyes edhe njëherë për çmimin. Ma nxirr pak atë letrën. A ka qenë çmimi 30 Euro për tonë pa TVSH.
Lulzim Basha: Jo, jo. Nuk është fare ajo. Ajo është një memo e brendshme midis departamenteve të Bashkisë…
Edi Rama: Nuk është memo ajo mo. Është raporti i grupit. Po ç’ke miratuar.
Lulzim Basha: Mos gënje, s’është ai raporti i grupit. Ti tregoju shqiptarëve se pse kur as taksapaguesve të Tiranës nuk do të paguanin asnjë qindarkë më shumë taksën e pastrimit dhe as taksapaguesit shqiptarë nuk do të nxirrnin asnjë lek, Tirana do të kishte kontenierët nën tokë brenda unazës së vogël, brenda një viti dhe brenda gjithë qytetit të Tiranës brenda 3 vjetësh. Landfilli do të menaxhohej dhe e gjitha kjo me transparencë dhe e financuar e gjitha nga Banka Botërore. Ti i vure shkelmin studimit të Bankës Botërore dhe leverdisë që do të kishte Tirana me një projekt që vetë doje ta nisje pasi ishte 11 vjet në bashki. 11 vjet i le plehrat e bashkisë siç i le. 11 vjet e le Sharrën siç e le. U kujtove kur po ikje dhe prapë nuk bëre asgjë. Dhe kur kjo përfundoi, prapë nën drejtimin tim ti nuk e lejove se ishe bërë kryeministër dhe kishte këtë plan që po bën sot…
Edi Rama: (Qesh)
Blendi Fevziu: Ju po thoni që Rama si kryeministër…
Lulzim Basha: 75 milionë Euro i keni marrë shqiptarëve për një pronar që e keni regjistruar në kompani guacka jashtë shteti, një pronar me precedent penal dhe anëtar të bandës së Lushnjes.
Edi Rama: Do na e heqësh këtë? O Lul fli, shko fli gjumë, shko fil, shko fli. Fli vlla.
Lulzim Basha: Mjafton të shikosh në internet dhe do të shikosh gjithë deklaratat për shtyp të miat dhe të IFC-së.
Edi Rama: Çfarë të shikosh?
Lulzim Basha: Do të shikosh kush e bllokoi dhe pse e bllokoi. Nuk doje që plehrat të trajtoheshin siç trajtohen në një vend normal.
Blendi Fevziu: Kryeministri ka sjellë një tabelë që tregon që kostoja e plehrave në vende të tjera është më e lartë se në Shqipëri.
Lulzim Basha: Pse futesh në gjëra të tilla. Thelbi këtu është që 75 milionë Euro të shqiptarëve janë dhënë një pronari të tre inceneratorëve të matjes së plehrave…
Edi Rama: Ça janë këto, fakte?
Lulzim Basha: Që janë me lekët e shqiptarëve, të cilat janë regjistruar në parajsa fiskale. Kush janë pronarët?
Blendi Fevziu: Me të vërtetë, kush janë pronarët?
Lulzim Basha: E ka bërë ajo zonja aty, e ka bërë BIRN zoti Fevziu që është rrjeti i gazetarëve investigativë i financuar nga SHBA-ja dhe BE-ja. E ka bërë hetimin, por nuk e lë zonjën të flasë prandaj i vërsulet ashtu…
Blendi Fevziu: E kam pas shpinës sime, investigimin e BIRN.
Lulzim Basha: Hetimi ka treguar se këto para…
Edi Rama: (I drejtohet Fevziut) Mbaroje pra tashi…
Lulzim Basha: Janë gllabëruar nga krimi i organizuar në bashkëpunim me qeverinë e cila në një ditë ka paguar 14 mln Euro. Më lejo të them dhe diçka tjetër.
Edi Rama: Fjalime do të mbajë tani?
Lulzim Basha: Sot keni lejuar atë shfaqje të turpshme se nuk e kuptoj se si mund të çohet njeriu që drejton qeverinë dhe t’i vërsulet gazetarëve duke thyer edhe distancimin social…
Blendi Fevziu: Çfarë të bëj të zihem me grushta?
Lulzim Basha: Minimumi duhet t’i thuash aq se mund të kesh Covid dhe t’ia ngjisësh Bert Rakipllarit…
Blendi Fevziu: Ia thashë nja 4 herë. Të lutem tani cito tamam dhe ti.
Robert Rakipllari: E mbroj vetë veten. Mos na e qaj hallin.
Edi Rama: E ka hallin me ty.
Lulzim Basha: Sot kjo shfaqje e shëmtuar, konfirmon hajdutërinë e kësaj afere, konfirmon gënjeshtrat nga fillimi deri në fund të sëpari qeverisë edhe për disa muaj dhe më e zeza e të zezave është që këto miliona euro i mungojnë shqiptarëve në këto ditë, mbi 600 mijë pensionistëve që ky u thotë vini maskën se do të të gjobis…
Blendi Fevziu: Nuk m’i cakton dot ti temat që flas unë.
Lulzim Basha: Nuk t’i caktoj unë temat, unë të jap deklaratën…
Blendi Fevziu: Çfarë deklarate?
Edi Rama: O Fevzi?
Lulzim Basha: Mjekëve që u ka premtuar 1000 Euro dhe infermierëve 500 Euro.
Blendi Fevziu: Basha këtu hyjmë në një diskutim tjetër. Basha se kjo është deklaratë për shtyp, ishte vetëm për inceneratorët përgjigja. Ke përgjigje?
Edi Rama: Lul fli vëlla, fli. Fli Lul, fli gjumë, gjumë të ëmbël. Fevzi na e hiq tani të flejë të vijojmë bisedën këtu ose të iki unë.
Blendi Fevziu: Ai është njeriu që do t’ju sfidojë në zgjedhje.
Edi Rama: Lë të më sfidojë në zgjedhje, le të flejë gjumë tani se i bën keq kur rri zgjuar. S’e di pse ka qëndruar zgjuar tani se ai zakonisht fle gjumë. Fli Lul, fli. Lëre. Mbylle tani mos na e banalizo tani se do iki fare. Mbylle mos na bëj sherr kot tani. Na fut këta tani. Ik tani Lul fli gjumë. Lul fli. Fli zemër, fli artist. Fli.
/GazetaReforma.com/