Lojë e mirë dhe shanse të shumta, por asnjë gol. Kombëtarja ka ‘harruar’ sesi shënohet
Sapo është mbyllur takimi i vlefshëm për Ligën e Kombeve mes Lituanisë dhe Shqipërisë, me rezultatin 0-0.
Ky është barazimi i dytë radhazi me këtë rezultat për kuqezinjtë tanë, pas ndeshjes në Kazakistanin, pasi pavarësisht lojës së mirë dhe risive që solli trajneri Edi Reja asgjë nuk ndodhi.
Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll me disa raste të pastra për shënim dhe një 11-metërsh i mohuar, por pa asnjë gol. Skuadra kuqezi ishte dukshëm dominuese në lojë, me Seferin si rrezikun kryesor përpara portës së vendasve. Gjithsesi, sulmuesi nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, duke lënë të pandryshuara shifrat në fraksionin e parë të sfidës.
Por përsëri edhe në pjesën e dytë asgjë nuk ndodhi. Të besuarit e Rejas ishin më kërkues dhe dy raste me Seferin dhe Trashin por shpërdoruan mundësitë më të mira për të fituar këtë sfidë.
Në fund vetëm një barazim pa gola, e çon Kombëtaren tonë në kuotën e 5 pikëve pas 4 ndeshjeve në UEFA Nations League, por përsëri 5 pikë janë pak , duke parë dhe nivelin që kundërshtarët e ligës C kanë treguar në fushën e lojës.