Operatori i Sistemit të Transmetimit, një shoqëri publike ku 100% të aksioneve zotërohen nga shteti dhe që drejtohet prej Janarit të vitit 2019, nga Skerdi Drenova, prej muajsh kryen tenderë me shuma në miliona euro.
Që nga qershori i vitit 2019 dhe deri në maj të vitit 2020, OST e drejtuar nga Skerdi Drenova, katër nga pesë tenderët e kryera gjatë kësaj periudhe janë fituar nga dy kompani me të njëjtin pronar. Bëhet fjalë për kompanitë ‘Shansi Invest’ dhe G.A.C.
Të dyja këto kompani kanë fituar tenderë në funksion të përmirësimit të rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike nga Operatori i Sistemit të Transmetimit në vlerën 17 mln euro. Në dokumentet e njoftimit të fituesit ajo çfarë vihet re është se tenderët janë zhvilluar me procedura përgjithësisht pa konkurrencë.
Kështu, Operatori i Sistemit të Transmetimit më 15 Maj 2020, ka mbyllur tenderin për “Zgjerimi i sistemit të lokalizimit të defekteve në Linjat e Tensionit të Lartë”, me fond 810 mije euro. Tenderi u zhvillua pa konkurrencë. Në të mori pjesë vetëm kompania “G.A.C” shpk e cila edhe u shpall fituese.
Në 20 Janar 2020, OST ka shpallur njoftimin për fituesin e tenderit për blerje autotransformatori të ri për nënstacionin Tirana 2 me fond limit 2.3 mln euro. Në këtë tender kanë marr pjesë 5 operatorë ekonomikë dhe OST ka skualifikuar 4 konkurrentë, duke lënë në garë vetëm bashkimin e operatorëve “Shansi Invest”-“Alb Star”-“GMK Power”, i cili u shpall edhe fitues.
Në muaj Shtator po të vitit 2019 OST mbyll tenderin: “Ndërtim i linjës 220 kV me dy qarqe Komsi-Shumat”, me fond limit 8,1 mln euro.
Në procedurën tenderuese marrin pjesë 3 operatorëve ekonomikë dhe operatori i sistemit të transmetimit i drejtuar nga Skerdi Drenova vendos skualifikimin e dy operatorëve. Në garë mbetet vetëm një konkurrent, i cili shpallet edhe fitues bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga “Shansi Invest”.
Ndërsa në Qershor të 2019 OST e drejtuar nga Skerdi Drenova, përfundon procedurat e prokurimit publik për: “Ndërtim i Nënstacionit 220/110/35 kV, Shumat dhe i traktit 220 kV në Nënstacionin 220/110/10 kV, Komsi”, me fond limit 6 mln euro. Edhe në këtë tender marrin pjesë 3 operatorë, dy prej të cilëve nuk kishin dorëzuar as dokumentacion dhe as ofertë ekonomike.
Edhe për këtë tender Operatori i Sistemit të Transmetimit shpalli fitues konkurrentin e vetëm që kishte dorëzuar ofertë ekonomike-bashkimin e operatorëve “Shansi Invest”- “Everest” shpk – “La-Or” shpk. E gjithë situata flet për abuzim ne shuma të mëdha parash nga Operatori i Sistemit të Transmetimit drejtuar nga Skerdi Drenova i cili iu ka dhënë tenderët dy kompanive me të njëjtin pronar.
/Burimi: BW/GazetaReforma.com/