Inceneratori i Tiranës është kthyer në një çështje të nxehtë debati politik por edhe në një temë të përfolur nga mediat mbi abuzimet që janë bërë me fondet e shtetit.
Jo më larg se sot, nga ana e Partisë Demokratike u ripërmend edhe një herë çështja e investimeve të qeverisë “Rama” mbi projektin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas PD-së, “vetëm pak ditë më parë qeveria ‘Rama’, ka paguar 2 (dy) milionë euro për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës. Deri sot janë paguar plot 75 (shtatëdhjetë e pesë) milionë euro për të ashtuquajturët inceneratorë që as nuk ekzistojnë”.
Por menjëherë pas akuzave të PD-së, ka reaguar sot për herë të parë administratorja e shoqërisë koncesionare të “Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë, IEBV”, Ariola Kodra, e cila i’u është përgjigjur akuzave nëpërmjet një prononcimi në media.
Ajo thotë se, ndryshe nga sa është komentuar në media, mbetjet e qytetit të Durrësit prej ditës së parë dhe sot, landfilli i Tiranës i ka pranuar me kosto 0, pra falas. Ajo sqaron gjithashtu se ka qenë vetë bashkia e Durrësit ajo që ka kërkuar të sjellë mbetjet e saj në Sharrë, kërkesë e cila është pranuar nga shoqëria.
“Para disa kohësh shoqërisë iu drejtua një kërkesë nga Bashkia e Durrësit në lidhje me depozitimin e mbetjeve urbane të këtij qyteti për shkak të emergjencës mjedisore që ata shpallën. Patjetër që shprehëm disponibilitetin tonë për t’i pritur. Deri në këto momente që flasim këto mbetje nga qyteti i Durrësit vijnë me kosto zero”.
Paratë e buxhetit
Për pyetjen mbi menaxhimin e parave nga buxheti i shtetit, administratorja Kodra tha se ky është një keqkupim i madh, pasi nuk kemi të bëjmë me një investim shtetëror, por me një investim për ndërtimin e impiantit nga koncesionari.
“Më lejoni t’ju them që shoqëria koncesionare të gjitha investimet e projektit i bën me kostot e veta. E vetmja tarifë që merr shoqëria nga bashkia Tiranë është tarifa e depozitimit për mbetjet urbane të qytetit. Është e pamundur që gjithë këto investime kolosale që po bëhen për këtë projekt të mbulohen vetëm nga kjo tarifë”.
Kapaciteti i landfillit të Tiranës shkon deri në 1400 ton mbetje në ditë ndërkohë që bashkia e Tiranës prodhon deri në 700 ton mbetje në ditë. Ajo sqaroi më tej, se parametrat mjedisorë në zonë brenda dy vjetësh kanë ndryshuar dukshëm dhe kjo vërtetohet nga matjet mjedisore dhe shifrat zyrtare të tyre.
“Patjetër që kanë ndryshuar parametrat mjedisorë në zonë dhe kjo është e dukshme dhe lehtësisht e vërtetueshme. Uji, ajri dhe analizat e këtyre parametrave, kafshët që ne kemi marrë pranë kësaj zone pasi do të kthehet në një park, ku qytetarët do të vijnë dhe do të kalojnë kohën e tyre të lirë, janë prova më e qartë e ndryshimit të gjendjes mjedisore.
Në 3 muajt në vijim do të bëhet dhe kapsulimi dhe bonifikimi i tërë zonës. Mund të themi që sot kemi një Tiranë më të pastër falë punës sonë dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe Bashkinë Tiranë”.
Administratorja Kodra, fton të gjithë ata që hedhin baltë mbi këtë projekt të vijnë të vizitojnë nga afër atë.
/GazetaReforma.com/