Mesa duket këtë qershor përveç zgjedhjeve lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare. Të paktën kështu ka paralajmëruar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Nga Skrapari, ajo deklaroi se vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare, të cilat sipas saj ka gjasë që të mbahen në një ditë me ato lokale, të cilat janë dekretuar nga Presidenti Ilir Meta me 30 qershor.
Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë me synimin për të rrëzuar nga posti kryeministrin Rama, pasi siç tha ajo, mandatet që ka sot në parlament i ka siguruar përmes pazareve të ndryshme.
“Një qeveri që rrit taksat nuk meriton të qeverisë. Nuk do të jenë zgjedhje lokale, por edhe zgjedhje të përgjithshme, sepse shqiptarët nuk do të pranojnë të qeverisen nga një qeveri e cila ka grabitur mandatet në parlament dhe i ka të blera.
Nga Brukseli dëgjojmë një rrufe në qiell të hapur, dëgjojmë se si komisioneri Hahn shprehet se “Rama ka mbajtur peng reformat”. Kemi përballë një sfidë : Të Rrëzojmë Edi Ramën. Kudo që shkel, dëgjoj se edhe socialistë të ndershëm që janë të mërzitur me Rilindjen. Kur nuk ka socialist të ndershëm që suporton këtë njeri, tani duhet thënë se kushtet janë pjekur. Do të dalim në rrugë dhe do ta rrëzojmë Edi Ramën. ”- tha ajo.
Kryemadhi tha se ka ardhur koha që populli t’i japë një mësim të qartë politikës shqiptare jo për rrotacion, por si një shenjë dhe kërkesë llogarie për premtimet që ata bëjnë, ose në të kundërt shtoi ajo, politikanët duhet të tërhiqen zvarrë nga posti i tyre.
“Duam t’i japim mësim politikës shqiptare që ai që jep premtime duhet ta mbajë ose në të kundërt meriton të tërhiqet zvarrë. Mos ndaloni duke kontaktuar vëllezërit, familjarët dhe miqtë tuaj.
Nuk është nevoja të bëjmë rrotacion politik, por duhet të organizohemi duke mos lejuar blerjen e varfërisë së familjeve shqiptare, sepse duke bërë këtë do të na blejnë edhe shpirtin. Ta bëjmë Shqipërinë si shtëpinë tonë, kjo do të thotë të veprosh duke rrëzuar këtë klikë oligarkësh”- shtoi Kryemadhi.