Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka treguar mbrëmjen e sotme se është tërhequr nga procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke i cilësuar të dëmtuara rëndë këto procese.
Për këtë ambasada thotë se procesi i përzgjedhjes është prishur me themel meqenëse u mungon transparenca dhe ka konflikte interesi.
Ndër të tjera në reagimin e saj ambasada e SHBA-së ka njoftuar se nuk do të vazhdojë të monitorojë një proces të tillë.
Ndryshimet të kornizës ligjore në të cilën bazohet Këshilli Prokurorial janë të nevojshme për të vendosur transparencë dhe drejtësi në këtë sistem. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Rishikimin Funksional”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
Ndërkohë në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri i Kosovë Avdullah Hoti i cili thotë se është i shqetësuar me këtë vendim dhe se kjo duhet të merret seriozisht.
“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht.
Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës.
Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, shprehet Hoti.