Nga largimi masiv i të rinjve Shqipëria po përballet ngadalë me dy fenomene, atë të kthimit në një azil të madh pleqsh, por edhe në një spital të madh.
Kjo për faktin se, teksa popullsia po tkurret me ritme të shpejta, puna nëpër spitale po rritet, pasi gjithnjë e më shumë po shtohet popullsia në moshë pensioni, që ka edhe nevoja më të larta për trajtim shëndetësor.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në vitin 2019, u shtruan në spitale më shumë se 310 mijë persona me një rritje 4.7% më shumë se në vitin 2018.
Gjithashtu në vitin 2018, rritja vjetore e ë shtruarve në spitale ishte 4.2 % më shumë se në vitin 2017. Rritja ë kërkesës për shërbimeve spitalore shtron nevojën për shtimin e investimeve në kapacitete spitalore, në aparatura dhe shpenzime më të larta në fondet e shëndetësisë.
Zhvillimet demografike po sugjerojnë se, sektori i arsimit do të çlirohet nga shpenzimet për shkak të rënies së numrit të nxënëseve në të gjitha ciklet e studimit, ndërsa nga ana tjetër, sektori i shëndetësisë kërkon investime në të gjithë shërbimet, për shkak të rritjes së barrës së sëmundjeve për të gjitha patologjitë.
Në vitin 2019 popullsia e vendit është tkurrur me të dhëna zyrtare, me 51 mijë persona, por rënia duhet të jetë më e madhe po t’u referohemi shifrave të emigracionit.
Rriten vizitat, ulet numri i mjekëve
Përgjatë vitit 2019, përveç shtrimeve në spital pati edhe rritje të vizitave te mjeku i familjes. Sipas Ministrisë së Financave, janë kryer gjithsej 6.733.220 vizita nga 6,668,567, që ishin zhvilluar më 2018-në, ose 64 mijë vizita më shumë se në vitin 2018.
Ndërkohë që kërkesa për shërbime spitalore rritet, Shqipëria vijon të ketë një numër të ulët stafesh mjekësore për banorë. Për rrjedhojë ngarkesa e mjekëve ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë dekadës.
Në vitin 2008 mesatarja e vizitave ditore tek mjeku i familjes ishte 7.2, ndërsa në vitin 2018, numri mesatar vizitave ishte 11.8. Ngarkesa është më e lartë për mjekët në Tiranës, për shkak të përnderimit të popullsisë dhe kërkesës më të lartë nga rrethet për shërbime mjekësore në Tiranë.
Në 1 janar 2020, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me 1 janar 2019, nga 25,1% në 24,6%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka pësuar rritje, nga 20,5 % në 21,6 % gjatë të njëjtës periudhë.
Krahasimi i piramidave të popullsisë për vitin 2019 dhe popullsisë të projektuar të vitit 2031 na tregon se, popullsia e Shqipërisë përveçse do të ndryshojë në numër, do të ndryshojë dukshëm edhe përbërjen e saj moshore dhe gjinore.
Kjo sinjalizon qartë se sektori i shëndetësisë kërkon burime me të mëdha financiare në dispozicion.
/Burimi: MF/ GazetaReforma.com/