Një ditë pasi Aleksandër Vuçiç paralajmëroi Kosovën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbë, reagon Hashim Thaçi. Ky i fundit kritikoi qeverinë që nuk dëgjon kërkesat e amerikanëve dhe europianëve për heqjen e taksave.
Presidenti i Kosovës shkroi në Facebook se, “tekat personale” të asnjë udhëheqësi nuk duhet të prekin interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë.
“Përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Europë.
Kjo situatë është për të ardhur keq, ndaj tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe paqes së rajonit, vazhdon mesazhi ku theksohet gjithashtu se as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian “nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në”, shkruan ndër të tjera Thaçi.
21 nëntorin e vitit të kaluar, Prishtina vendosi një tarifë prej 100 % ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, në kundërpërgjigje të fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.