Shqipëria do të përfitojë rreth 100 milionë euro hua për financimin e infrastrukturës dhe sektorit të turizmit, ku rreth 40 milionë lekë do të përdoren për infrastrukturën bashkiake dhe 60 milionë për turizmin.
Projekti pritet të nxisë përfshirjen e grave në ekonomi dhe të ndihmojë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në përvetësimin aftësive dhe njohurive.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Europian (BE) mbështesin konkurueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, përmes nënshkrimit sot të dy Marrëveshjeve midis BERZH dhe Qeverisë Shqiptare në kuadër të Takimit të Përvitshëm të “BERZH 2020”, që formalizojnë bashkëpunimin në sektorin e turizmit.
BERZH do të sigurojë një hua prej 60 milionë euro për financimin e infrastrukturës së turizmit, si rrugë, ujëra dhe kanalizime dhe infrastrukturës bashkiake me një fokus të veçantë në bashkitë Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.
BE do të sigurojë gjithashtu 40 milionë euro në grante përmes “Instrumentit të saj për Asistencë të Para-Antarësimit”, për asistencë teknike dhe investime.
Fondet e BE do të përdoren për restaurimin, përmirësimin dhe zhvillimin e zonave të trashëgimisë kulturore dhe zonave natyrore në vend.
“Ky Program ka potencialin për të mbështetur një prej sektorëve që kriza e Covidit goditi më ashpër, dhe është thelbësore që të sigurohet që veprimtaria e programit të përshpejtohet dhe të arrijë ritmin për të kompensuar vonesën dy-vjeçare dhe ato goditje që ky sektor ka vuajtur deri më tani. Kjo mbështetje është më shumë se kurrë e nevojshme”,- deklaroi ambasadori i BE, Luigi Soreca.
“Tani besoj se mund të jemi mjaft të frymëzuar nga ajo çfarë po ndodh në frontin e BE që ka dalë me një paketë mjaft ambicioze investimesh për të gjithë rajonin. Por ne e dimë mjaft mirë që për të qenë efektivë në marrjen e këtyre parave, na duhet ndihmë nga pikëpamja e ekspertizës, dhe shpresoj shumë që banka juaj e pasur me ekspertizë do të vijojë të na ndihmojë në këtë drejtim”,- deklaroi kryeministri Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.
Krahas kësaj, në partneritet, do të ofrohet asistencë teknike dhe mundësi trainimi të financuara nga BE për të mbështetur përmirësimin e standardeve të turizmit vendas dhe për të siguruar pjesëmarrjen e grave në zinxhirin e vlerës së turizmit në Shqipëri.
Banka do të ofrojë gjithashtu shërbime konsulence për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë aktive në sektorin e turizmit me aftësi dhe njohuri për përmirësimin e bizneve përmes Programit të BERZH për Këshillimin e Biznesit të vogël me mbështetjen e BE.
Deri më sot, BERZH ka investuar 1.4 miliardë euro në 100 projekte në Shqipëri ndërsa BE është donatori më i madh në Shqipëri duke siguruar mbi 700 milionë euro nga 2014 në 2020.
/GazetaReforma.com/