Opozita e djathtë nuk do të bëjë protesta për kundërshtimin e Kodit të ri Zgjedhor, ndryshe nga thirrjet e presidentit Meta. Një nga eksponentët e koalicionit, Dashamir Shehi shprehet se nuk do të ketë as protesta dhe as bojkot të zgjedhjeve. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi në një intervistë televizive, thitë se protestat do i shërbenin vetëm Ramës dhe askujt tjetër, për pasojë kanë marrë vendimin që të mos bëhen pre e “lojës së tij”.
“Rama ka menduar që ta provokojë opozitën që të largohen nga zgjedhjet ose të dalin në rrugë. Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë asgjë, do futem në zgjedhjet. Ne mund të dalim në rrugë jo një, por me muaj me radhë, por jo për këtë çështje. Ne presim nga Meta proceduralisht, presim nga Rama që të reflektojë për ato që tha komisioneri, për të gjetur një marrëveshje, ka kohë. Pasi të mbyllet kjo procedurë, do vendosim. Do hyjmë në zgjedhje dhe do të fitojmë zgjedhjet me kështu do i rregullojmë këto gjëra. Nëse do merremi me këtë situatë mund të biem në lojën e Ramës. Ne nuk merremi me këtë punë”, deklaroi Shehi.
Shehi ka sqaruar edhe çështjen e koalicionit në zgjedhjet e 25 prillit.
“Nëse do jetë një listë e përbashkët, do jemi kështu. Nëse do jetë e pamundur, do hymë në zgjedhje veç e veç e do bashkohemi pas zgjedhjeve që ta rrëzojmë Ramën. Ne kemi ikur se e kemi menduar se më ë rëndësishme është që të rivendosim demokracinë, jo pushtet”, tha Shehi.
“Basha duke qenë kryetar i opozitës, të një gjëje më të madhe se Meta, se opozita është gjysma e Shqipërisë. Basha e bëri propozimin e vet që të hapen listat, Rama nuk e respektoi, as marrëveshjen. Nëse kanë pritur që Basha do të bëj miting për këtë çështje, nuk është koha, e kemi pranuar me keqardhje”, tha Shehi.
/Gazeta Reforma/