Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi ka deklaruar ditën e sotme se Gjykata Kushtetutese duhet të jetë funksionale para konferencës së parë ndërqeveritare që shënon dhe zyrtarisht nisjen e negociatave të pranimit në BE.
Varhelyi tha gjithashtu se marrëveshja e 5 qershorit është shumë e mirë teksa ka folur dhe për vizitën në Tiranë duke e konsideruar të rëndësishme.
“Kushti që ne kemi në përfundimet e Këshillit që hapin rrugën për negociatat e bën shumë të qartë që duhet një Gjykatë Kushtetuese tërësisht funksionale përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Inkurajojmë të dyja palët që të vijojnë punën që Gjykata të bëhet funksionale”- theksoi ai.
Më tej ai tha se çështjen e reformës zgjedhore në Shqipëri Brukseli po e ndjek me vëmendje, ndërsa uroi që të mos kthehet në problem për të ndarë Tiranën nga Shkupi për konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat.
“Po e shohim çështjen e reformës zgjedhore me sy të hapura mirë dhe do shkoj t’i shoh gjërat vetë në terren” tha ai, referuar vizitës që do të zhvillojë nesër në Shqipëri.Shpresoj që kjo mos të kthehet në një çështje për të ndarë të dyja vendet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo vërtetë nuk do ishte mirë” tha Varhelyi.