Edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi ndryshimin e sistemit të vizave Shengen. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka ndryshuar rregullat për shtetasit shqiptarët, që do duan të lëvizin drejt vendeve të zonës Shengen, të cilët do duhet të aplikojnë dhe të marrin një “ETIAS”.
I pyetur, nëse ky është një kthim drejt vizave, kryeministri Rama tha sot se nuk bëhet fjalë fare për kthim pas, por është një filtër në funksion të politikës së sigurisë të BE kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Ai nuk shpjegoi se sa është mundësia që qytetarët të mos e kalojnë këtë filtër.
“Ka që në 2016 që flitet për këtë, por nuk bëhet fjalë fare për ndonjë kthim pas. Bëhet fjalë për një sistem sigurie të BE për të gjitha shtetet jo anëtare të BE, qytetarët e të cilave duan të hyjnë në BE dhe nuk kanë nevojë për vizë. Jemi në një shoqëri që besoj s’ka të sharë me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sipas këtij sistemi, do duhet që para se të nisen në BE, të bëjnë një aplikim online dhe ky aplikim nuk është për vizë. Thjesht e bën aplikimin, i cili futet në sistemi dhe ti merr konfirmimin nëse je apo jo i lejuar të hysh në BE, në bazë të kartelës kriminale”
S’ka lidhje fare kjo me qytetarët që s’kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i lidhur me terrorizmin apo krimin e organizuar. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE. Nuk është kthim mbrapa te viza, siç me siguri do të predikohet nga të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale në Gjirin e Lalzit. Është thjesht një filtër në funksion të politikës së sigurisë të BE kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Rama.
A është autorizimi për udhëtim i ETIAS-it një vizë e re?
Në të njëtën linjë, Zyra e misionit të BE në Tiranë shpërndau informacione mbi Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) për shtetasit shqiptarë. Sipas tyre, aplikimi do të kushtojë 7 euro.
ETIAS-i është një system i automatizuar IT aktualisht në fazën e zhvillimit dhe nuk është ende në përdorim. Ai pritet të fillojë nga funksionimi në fund të vitit 2022. Shtetasit nga 62 vende, përfshirë Shqipërinë, SHBA-në, Kanadanë apo Australinë, do të duhet të përdorin ETIAS-in.
Të gjithë shtetasit shqiptarë gëzojnë të drejtën të aplikojnë për ETIAS-in sepse Shqipëria është dhe do të vijojë të jetë një vend pa viza për BE-në.
Autorizimi ETIAS nuk është një vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.
Autorizimi për udhëtimet ETIAS nuk rivendos detyrimet që kërkohen për vizat. Nuk ka nevojë të paraqiteni në një konsullatë për të bërë një aplikim dhe nuk merret asnjë e dhënë biometrike.
Sa kushton aplikimi?
I vetmi dokument që do t’ju nevojitet për të aplikuar në ETIAS është pasaporta e vlefshme. Kostoja për të marrë një ETIAS është 7€ për person, ndërsa personat nën moshën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e kësaj tarife.
Pas miratimit, autorizimi ETIAS është i vlefshëm për tre vjet, për një numër të pakufizuar hyrjesh në të gjitha vendet e zonës Shengen, nëse nuk qëndron më shumë se 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.
Shengeni rajonal
Rama shpjegoi edhe 20 miliardë euro ndihma që do të jepen për Ballkanin nga BE. “Nesër pres Komisionerin e Zgjerimit me shumë padurim se ai është nxitësi kryesor i paketës për Ballkanin dhe do të dëgjojmë detaje për këtë, se njëherë vjen 6, njëherë 7 pastaj bëhet 20. Kur i dëgjoni këto miliarda kini parasysh se mes tyre dhe nesh ka në mes 7 dete.
Ne edhe shkollat po i mbarojmë me paratë tona . E them këtë për të adresuar një problem që nuk e kishim, se po të mos kishim rindërtimin do kishim pasur edhe antikovidin. BE po fillon shkollat se kanë procedura të tjera, këto miliardat lidhen me gojën që më ra mua ka gjithë këto vite: Shengeni rajonal, shengeni rajonal. Mos mi dëgjoni të gjitha por në çdo gjë që dëgjoni mund të kapni diçka sepse sot këtë perspektivë e hap shengeni rajonal”,- tha Rama.
/Gazeta Reforma/