Skip to content
Të Gjitha

Raporti i Financave/ Inceneratorët e Fierit dhe Tiranës ‘gëlltisin’ milionat e buxhetit, por nuk realizojnë investimet

· 3 min lexim

Ato që u shitën si projekte shumë bashkëkohore dhe që do ta “shpëtonin” Shqipërinë një herë e mirë nga ‘gangrena’ e ndotjeve urbane masive, të propaganduara me bujë nga qeveria socialiste, në fakt po rezultojnë disa “gropa të zeza” që po zhdukin miliona euro fonde nga buxheti i shtetit.

Fjalë është për Inceneratorët e famshëm të mbetjeve, që tashmë duhet të kishin nisur nga puna dhe të digjnin mbeturinat e shumë qyteteve, por që në fakt nuk kanë realizuar as pjesën fillestare të investimeve.

Inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit i kanë marrë fondet buxhetore sipas planeve të parashikuara në kontratat koncensionare me qeverinë, por realizimi i investimeve me fondet e veta nuk ka ecur sipas kontratës.

Për rrjedhojë miliona euro të paguara nga taksat e shqiptareve, nuk do të përkthehen në shërbime të përmirësuara, arsyeja pse u dhanë këto kontrata.

Ministria e Financave ka njoftuar se, pagesat për inceneratorin e Tiranës në vitin 2018 dhe 2019 janë përkatësisht 977 milionë lekë për secilin vit sipas planit, por nga ana tjetër investimet, pjesa më e madhe e të cilave duhet të ishin bërë nga fondet e vetë kompanisë, nuk kanë vijuar me planin.

Financimi nga privati

Vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 ka qenë vetëm 20% e vlerës së planifikuar në planin e biznesit. Ndërsa vlera e investimit kapital për vitin 2019, ka shënuar 526,2 milionë lekë ose vetëm 10% të planit në kontratë.

Sipas kontratës kompania “Integrated Energy”, duhet të investonte në vitin 5,9 miliardë lekë me 2019, nga të cilat më shumë se 5 miliardë lekë duhet të ishin nga fondet e kompanisë dhe afërsisht 1 miliardë lekë pagesa nga buxheti.

Por kompania nuk ka arritur të azhurnojë në investime as pagesën e marrë nga buxheti (shteti ka paguar sipas planit 725 milionë lekë, ndërkohë që investimet totale të atij viti ishin vetëm 526 milionë lekë, nga 5.9 miliardë lekë që ishte kontrata-shiko në fund tabelat zyrtare të Ministrisë së Financave).

Për periudhën 2018-2019, sipas kontratës duhet të ishin investuar 11,4 miliardë lekë, por janë investuar vetëm 1,6 miliardë lekë ose rreth 12% e planit.

Trajtimi i mbetjeve

Projekti i tretë i financuar po me paratë e taksapaguesve shqiptarë, është Trajtimi i mbetjeve të Tiranës (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 39 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë.

Nga kjo shumë 17 miliardë lekë parashikohen investime.

Një situatë e ngjashme është edhe në inceneratorin e Fierit, ku buxheti i ka bërë kompanisë pagesa vjetore prej 752 milionë lekësh, sipas planit në kontratë.

Sipas parashikimeve, ndërtimi dhe vënia në funksionim e impiantit do të përfundonte në muajin Shtator 2019, por ndërkohë impianti ende nuk ka përfunduar.

Impiantet e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet metodës së incinerimit që do të ndërtohen nëpërmjet koncesioneve me Partneritet Publik -Privat (PPP), në qytetet Elbasan, Fier dhe Tiranë, kanë marrë deri tani 5.7 miliardë lekë ose 47 milionë euro financime nga buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Financimet përfshijnë periudhën 2017-2019, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti parregullsi në pagesat e thesarit për këto objekte.

/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/