Deputeti që zëvendësoi Berishën në parlament, Kostaq Papa propozon shpalljen e Gjirit të Sarandës si det historik. Bashkë me Sarandën përmendet edhe Butrinti, Ksamili, Himara, Borshi, Qeparoi dhe Palasa.
Projektligji duket se u nxit nga debati politik për bisedimet mbi marrëveshjen detare me Greqinë. Ky draft i jep vendin dhe vlerësimin e duhur hapësirës ujore shqiptare nga Vivari në Llogara. Projektligji, sipas deputetit Papa, synon të mbyll spekulimet në lidhje me problemet që janë shfaqur nga kërkesa e shtetit fqinj për delimitimin e ujërave detare dhe shtrirjen 12 milje të kufirit detar në Detin Jon.
Projektligji synon te mbyll mundësinë per korrupsion me ujërat detare e detin territorial shqiptar nga nënpunës te shtetit shqiptar gjatë tratativave për marrëveshje me vendet fqinje.
Në këto hapësira ujore detare shqiptare kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike botërore, rajonale e kombëtare.
Përmendim disa : Ardhja e Eneas dhe grupit të luftëtarëve të tij pas largimit nga Troja e rrënuar; qëndrimi në Butrint apo ne Onhezmin-Sarandën e sotme. Zbarkimi i Perandorit të Romës Jul Qezari me ushtrinë e tij në Palasë rreth vitit 50 p.e.s për të zhvilluar betejat e mëvonshme në Orik me Pompeun.
Hapësira detare e Gjirit te Sarandës është përshkuar nga emra të njohur të historisë së lashtë : perandorë, senatorë, konsuj e autorë të lashtë romak. Prej detit mbërritën në tokë Dyzetë Shenjtorët dhe u vendosën në shpatin e malit mbi qytet e nga mendohet se ka ardhur emri i sotëm i qytetit.
Betejat me ushtrinë e Karl Anzhuinit në Mesjetë janë zhvilluar në det ne Butrint e Sarande. Betejat detare të mesjetës me Piratin e Detit Haxhi Dauti janë zhvilluar në detin e Sarandës. Betejat me anijet Franceze prej forcave të Ali Pashës për marrjen e Butrinti dhe tokës përreth. Betejat me anijet e Ushtrisë Osmane të zhvilluara në detin e Sarandës. Historia e incidentit ne Kanalin ne vitin 1946 me Flotën Britanike dhe minat e vendosura nga jugosllavët ku u vranë rreth 50 ushtarë britanikë etj.
Sipas deputetit, ka një mungese instrumenti ligjor për këtë çështje dhe këtë boshllëk e mbyll ky projektligj.
Ky draft mbyll përfundimisht mundësinë e matjeve të gabuara e me shumë përthyerje në detin e Gjirit te Sarandës dhe çon vijën e ujërave tona në koordinatat e duhura e të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare kur u vendosën kufijtë shtetëror të Shqipërisë.
Ky projektligj nuk ka efekte ekonomike financiare shtese. Por do te sjellë të ardhura nga shfrytëzimi turistik i kësaj hapësire detare e historike.
/Gazeta Reforma/