Skip to content
Aktualitet

Brukseli dërgon mesazhin për zgjedhjet me Komisionerin e BE-së

· 2 min lexim

Bashkimi Evropian do ta japë mesazhin për zgjedhjet me Komisionerin e Zgjerimit,  Oliver Varhelyi, i cili do të vizitojë Tiranën në ditën e mërkurë. Lajmin e jep shefi i misionit, Soreca, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Oliver Varhelyi  do të vizitojë rajonin këtë javë për të prezantuar Raportet Vjetore ËB6 & Planet Ekonomike / të Investimeve. Ai do të jetë në Tiranë – në orën 7.10 pasdite, ku do t’i drejtohet Parlamentit …”

Në agjendën e komisionerit Oliver Varhelyi  janë takimet me Presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama. Ai gjithashtu do të takohet me kryetarin  e PD-së Lulzim Basha dhe organet e vettingut, njofton Soreca.

Mbrëmë Ambasada e ShBA dhe Bashkimi Evropian mbajtën qëndrime të ndryshme për miratimin e Kodit Zgjedhor  nga mazhoranca në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit.

SHBA në deklaratën e saj theksonte se ky veprim i mazhorancës u bë përkundër thirrjeve  “që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet”, megjithatë shtonte se “ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime”, madje saktësohej se “këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit”.

Ndërkaq, BE bëri një deklaratë shumë shkurtër dhe diplomatike. Delegacioni i BE në Tiranë shkreh “keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament”. Gjithashtu, BE deklaroi se “këto (ndryshimet e Kodit Elektoral) nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit”.  Deklarata e BE rekomandon se “dialogu politik në vend duhet të përmirësohet”.

Duket se faktori ndërkombëtar nuk e ka thënë fjalën e fundit. Ndoshta Komisioneri i Zgjerimit do të sjellë mesazhin e Brukselit, pasi misioni i BE dhe ambasada amerikane në Tiranë flasin butë se ndodhen nën presionin e qeverisë Rama.

/Gazeta Reforma/