Ministri i Turizmit Blendi Klosi para pak ditësh deklaroi se valët e muzikës përhapin më shpejt Covid-19, ndaj dhe është vendosur që të mos lejohet muzika pas orës 20:00 të mbrëmjes.Një argument i ri ky, që nuk ishte dëgjuar më parë, por që ministri e tha me siguri, sipas së cilit është e vërtetuar shkencërisht.
Kjo deklaratë e tij ngjalli shumë debate dhe meme në rrjetet sociale, pasi deri më tani askush nuk e kishte thënë dhe provuar diçka tê tillë më parë.
Por pas kësaj deklarate figura të shumta publike reaguan duke e quajtur absurde dhe pa sens. E këtij mendimi ishte ditën e sotme dhe këngëtarja Xheisara e cila e ftuar në “Ftesë në 5” tha se është në prag falimenti, ndërsa shtoi se do ta pyeste ministrin se, “ku e merr mallin”.
“Ne jemi të falimentuar sepse po bëjmë tetë muaj. Unë do e pyesja pak ministrin, këto koncertet e tjera që zhvillohen lart e poshtë nuk ka tinguj atje. Nuk ka sens fare, më duket absurde. Nuk ia kam idenë për atë që thotë ministri. Do të thosha diçka por jam live dhe s’po e them. Do e pyesja ku e merr…”, tha këngëtarja.
Ndërkohë edhe kolegia e Klosit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e kundërshtoi këtë tezë të Klosit e cila është e pa provuar më parë.
”Nuk mund as të jesh dakord as të mos jesh dakord mbi një çështje për të cilën nuk ke asnjë ekspertizë.Sigurisht që nuk ka një studim”, tha Spiropali.