Tirana është zgjeruar tej mase nga ndarja e re administrative, me zona të mëdha nëpër periferi, por vazhdon që të ketë probleme edhe në mesin e saj.
I tillë është rasti i lumit Lana, një problem për të gjithë qytetarët që kalojnë aty, por akoma më shumë edhe për personat që banojnë pranë rrjedhës së këtij lumi.
Kryetari i Bashkisë nuk lë rast pa treguar çfarë bën nëpër fshatrat rreth e qark Tiranës, por ka harruar një problem kryesor, që kalon mes përmes kryeqytetit shqiptar.
Lana për disa është një lumë, për të tjerë është thjesht një përrua, pasi ka kohë që e ka humbur funksionin e vet si lumë, kohë e cila përkon me shkarkimin e ujërave të ndotur në të, duke marrë kështu trajtën e një kolektori, aspak dinjitoz për mesin e qytetit. Ajo shkakton ndotje, erë të pakëndshme, por dhe rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi të saj.
Lana përshkon Tiranën tejpërtej nga lindja në perëndim. Ujë i saj buron në pjesën perëndimore të Qafës së Priskës. Ky lumë është 29 km i gjatë dhe ka një sipërfaqe të pellgut 67 km² e një lartësi mesatare 179 metër, ndërsa pjerrësia shkon deri në 24 m/km.
Porta Vendore gjatë muajve janar-shkurt 2020 bëri një vëzhgim nëpër Lanë për të konstatuar shkallën e saj të ndotjes dhe rehabilitimin e saj me projektin e nisur nga ana e Bashkisë Tiranë.
Banorët që jetojnë pranë Lanabregas, fshat i cili ka marrë emrin nga vetë kalimi i lumit Lana në këtë zonë të Tiranës, tregojnë se sa herë që bie shi, lumi fryhet duke krijuar përmbytje të zonës, për shkak të inerteve pa kriter që derdhen prej vitesh pranë Dajtit në Linzë, e që uji i merr me vete në drejtim të qytetit.
“Lana do bëjë punën e vet, ka rrugën e vet, do eci ajo, dhe sa herë që bie shi këtë punë ka.
Por problemin e kemi tek ura këtu, që duhet një urë që të dalë uji tamam. Ky është problemi kryesor i lagjes”, thotë Ardiani, banor i Lanabregasit.
I moshuari tregon për Portën Vendore se Lana përmbytet çdo vit, por edhe pse mund të vijnë ndonjëherë në të rrallë ta pastrojnë nga bashkia, sërish kjo nuk është zgjidhje. Ai na shpjegon se në vend që rrjedha e lumit të lihej e lirë të kalonte nën urë, poshtë urës është vendosur një tub, i cili është shumë i vogël e nuk i përthith dot papastërtitë e shumta të mbetjeve që vijnë bashkë me Lumin Lana që nga zona e Dajtit. Kjo bën që të ketë përmbytje të zonës për shkak të mos depërtimit të inerteve dhe grumbullimit të tyre në urën e Lanabregasit.
“Nuk ka ardh kush me pastru Lanën këtu por nga hedhjet e mbetjeve është bërë kjo punë kështu. Ky nuk është viti i parë, ka tre-katër vjet kjo situatë. Ata e pastrojnë me fadromë, vjen lumi dhe ajo bëhet prapë pis”, tregon ai.
I lindur e rritur në këtë zonë, ai kujton kthjelltësinë e lumit dikur dhe se si ai ka ndryshuar në këto vite.
“Mbaj mend qysh kur kam qenë i vogël që ujë ka pas ardh i kthjellët pa turbullira, por tani në kohët e vona, ka mbeturina, hedhin mbeturina nuk është më siç ka qenë”, thotë Ardiani, të cilit i dhemb në shpirt, situata në të cilën është katandisur Lana sot.
Ndërsa Qemali, një tjetër banor i kësaj zone, që dëshiron shumë që gjërat me Lanën të rehabilitohen, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në skajet fundore të saj, e sidomos në Lanabregas, tregon se cila ishte pikënisja e dëmtimit të këtij lumi, i cili deri në vitin 2000, uji i tij ishte kristal.
“Këtu në lumin e Lanës ka mbeturina nga më të ndryshmet, pllaka betoni, inerte. Këto kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve nga Tirana mbi lumin Lanë, rreth vitit 2000. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë herë pas here të hedhin mbeturina mbi lumin Lanë. Kjo mund të dojë shumë vite që të shkojë aty ku duhet. Nëse nuk vë dorë njeri, është e pamundur që të futen mjetet, sepse këtu është shumë e vështirë që të pastrohet.
E gjithë kjo do të shkaktojë dëme më poshtë nga ku shkon Lana, deri më sot nuk është interesuar njeri, as kur ishte komunë dhe as sot që është bashki”, thotë ai për Portën Vendore.
Neglizhenca institucionale, ndërtimet pa kriter e të pastudiuara, por edhe mos aksesi për ta pastruar Lanën në këtë zonë, ku nuk mund të futesh as me mjete të rënda, ka bërë që Lana në vend që të shërbente si një atraksion turistik, të jetë një “mallkim” për banorët e kësaj njësie administrative dhe jo vetëm.
Në Njësinë Administrative Dajt, ku bën pjesë edhe fshati Lanabregas, ka në total rreth 21.218 banorë, ndërkohë që njerëzit në këtë zonë jetojnë me bujqësinë.
Ndërsa nga Materniteti i ri e deri tek Pallati me Shigjeta, situata duket disi më e normalizuar, por hera-herës në varësi të vërshimit të ujit edhe aty gjen mbetje, plastikë, gurë, bidonë etj.
“E bëjmë çdo ditë këtë rrugën dhe normal që është e ndotur. Uroj që të bëjnë diçka që edhe ne kur të kalojmë mos të mbyllim hundën nga era e rëndë që vjen këtu”, thotë një kalimtare.
Por nëse dikush ia vë fajin institucioneve për formën në të cilën ndodhet Lana nga mospastrimi i saj, banorë të tjerë fajësojnë edhe dorën e njeriut.
Kështu, në vëzhgimin e bërë në terren nga Porta Vendore para pandemisë së Covid 19, një tjetër skaj i qytetit ku gjarpëron Lana është edhe zona e Astirit, ku era e padurueshme e ujërave të zeza kundërmonte.
“Kur kalojmë këtu e ndjej, sepse janë gjitha ata banorë që jetojnë në anë të Lanës, dhe kjo duhet mbyllur. Edhe aty ku jetojmë ne tek unaza e re, edhe aty vjen era, nuk kalojmë dot tek ura. Po para viteve ‘90 kishe qejf të jetoje këtu, se tani është bërë shumë keq. Janë ndërtuar vend e pa vend, janë zënë kolektorët dhe gjithë ujërat e zeza derdhen këtu. Edhe faji i banorëve është, edhe faji i pushtetarëve, që i kanë lejuar të ndërtojnë vend e pa vend”, thotë një qytetare e cila banon në këtë zonë.
Nëpër të gjithë gjatësinë e Unazës së re, në Lanë derdhen ujërat e përdorura të bizneseve dhe pallateve të mbipopulluar të kësaj zone. Problemi nis që nga pallati me shigjeta, duke vijuar në Unazën e Re e duke përfunduar pranë Casa Italias.
Aty Lana bashkohet me Lumin e Tiranës në verilindje të Bërxullës, duke u shkarkuar më pas në basenin e Ishmit, një prej ujërave më të ndotura, sipas raporteve të përvitshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Olsi Nika, hidrobiolog i tha Portës Vendore se pas reshjeve të shiut, Lana i fal gjithnjë kalimtarëve, por edhe banorëve të pallateve pranë saj, një erë të pakëndshme, prej ujërave të përdorura derdhura në të, të cilët duke qenë të pastrajtuar, shkaktojnë super ndotje kimike në këtë mjedis.
“Është një segment kryesor që kalon mes për mes qendrës urbane, dhe praktikisht është shndërruar, si në shumë vende të tjera të kryeqyteteve Europiane, në një kolektor të ujërave të përdorur të qytetit. Ndotja është përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, përjashto po themi vetëm metrat e para që janë afër burimit. Është e ndotur sepse këtu shkarkojnë blloqet e banimit, bizneset, ujërat e tyre të përdorur. Ajo që ndjehet shpesh është pjesa që vjen e baktereve që ndodhen në lumë. Ajo që vihet re është se kur ka 2-3 ditë reshje me intensitet të vazhdueshëm fryhet shtrati ose sasia e ujit që ndodhet këtu dhe ne erën e ndjejmë deri tek piletat në shtëpitë tona. Kjo është ajo aroma e pakëndshme, por që është edhe kimike dhe e dëmshme”.
Olsi gjithashtu rekomandon se zgjidhja për Lanën do të ishte nivelimi i ujit në dy nivele, por që kjo praktikë evropiane është tejet e kushtueshme për t’u kryer.
“Për Lanën duhet të merren masa që të paktën të izolohet ajo pjesa e kolektorit, mund të jetë në dy nivele lumi; një nivel ujërat e ndotura që ne shkarkojmë dhe pjesa tjetër të jetë pjesa e ujit të lumit sipër. Sigurisht që ka kosto të madhe si projekt”.
/Burimi: Porta Vendore/GazetaReforma.com/