Emergjenca mjedisore e krijuar në Durrës pas mbylljes së vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto-Romano, është kthyer në një shqetësim të vërtetë.
Pas pamjeve të tmerrshme ku për disa ditë plehrat e qytetit nuk po mblidheshin, sepse nuk kishte një vend depozitim, bashkia u detyrua të negocionte me koncesionarin që menaxhon vendgrumbullimin në Sharrë.
Por, diçka e tillë rriste shumë kostot e arkës së Bashkisë, veçanërisht pas fatkeqsisë së tërmetit, dhe pandemisë Covid.
Gazeta Reforma e ka denoncuar prej kohësh këtë aferë, që ka një sfond korrupsioni. Por si shkuan gjërat tek lidhja e marrëveshjes me koncesionarin e Sharrës?
Sharra, alternativa e vetme
Përveç vendgrumbullimit të Porto Romanos, në territorin e bashkisë Durrës ndodhen edhe tre vendgrumbullime të tjera mbetjesh –në Vadardhë, Fushë Bizë dhe Grykë Minierë Manzë, që dikur i përkisnin ish-komunave të përthithura në bashkinë Durrës pas reformës territoriale.
Megjithatë, edhe këto 3 vendgrumbullime mbetjesh janë parashikuar të mbyllen, pasi nuk kanë kapacitete dhe kushte teknike për të kryer aktivitet bazuar në kriteret ligjore dhe teknike të legjislacionit përkatës.
Përpjekjet e bashkisë së Durrësit për të depozituar mbetje në vendgrumbullimit e Vadardhës në Sukth dhe Grykë Minierë Manzë hasën në fillim të qershorit në protestat e banorëve të këtyre njësive administrative.
Në një informacion dërguar kryetares së bashkisë më 5 qershor, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale kërkoi që të asistohet nga Policia e Shtetit për të bërë mundur depozitimin e mbetjeve të qytetit në vendgrumbullimet e ish-komunave.
‘Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për të mundësuar një vendimmarrje të përbashkët, si dhe aktivizimin e forcave të rendit për të mbështetur procesin e depozitimit të mbetjeve në këto njësi,’ shkruan Shpëtim Hidri, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale.
‘Qyteti i Durrësit nuk po pastrohet prej ditësh, duke krijuar një situatë të pazakontë, e cila mund të agravojë deri në një kolaps total në evadimin e mbetjeve,’ e paralajmëroi ai kryetaren e bashkisë.
Në fillim të muajit qershor, bashkia e Durrësit ngriti një grup të përbashkët pune me AKUM, për gjetjen e një zgjidhje emergjente për mbetjet urbane në Durrës, ku u diskutuan opsionet e bashkisë Durrës për t’i depozituar mbetjet urbane jashtë territorit të saj.
Sipas raportit të grupit të punës, ekspertët e AKUM, duke u bazuar edhe në masterplanin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, i rekomanduan bashkisë së Durrësit që të hyjë në negociata me koncesionarin e Sharrës.
Si destinacion përfundimtar i trajtimit të mbetjeve urbane në këtë plan për zonën Tiranë – Durrës është përcaktuar inceneratori –me periudhë ndërtimi dhe planifikimi 2018-2023. Bashkitë që e përdorin impiantin e incenerimit do të paguajnë një tarifë hyrëse prej 29 eurosh për ton mbetjesh, pa përfshirë koston e transportit.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bashkisë së Durrësit kanë ngritur pikëpyetje nëse mbetjet e bashkisë duhej të depozitohen domosdoshmërish në Sharrë, duke theksuar se masterplani kombëtar e lejonte qarkun e Durrësit të ekzistonte si zonë më vete mbetjesh.
‘Pa zgjidhje’
Mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano dhe rënia e të ardhurave si pasojë e tërmetit dhe pandemisë së COVID-19, e kanë vendosur bashkinë e Durrësit mes dy zjarresh.
Më 3 qershor, bashkia e Durrësit i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbështetje financiare në lidhje me zgjidhjen e krizës së krijuar për menaxhimin e mbetjeve, pas mbylljes së venddepozitimit të Porto Romanos.
‘Bashkia Durrës ndodhet në një situatë pa zgjidhje,’ thuhet në shkresën që bashkia Durrës i ka drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
‘I drejtohemi institucionit tuaj për të na mbuluar vlerën e financimit minimumi për 5 vitet e ardhshme, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit,’ theksoi ajo.
Sipas bashkisë së Durrësit, sasia e mbetjeve që evadohet çdo ditë nga qyteti është 206 ton ose 75,500 ton në vit. Ajo përllogarit se vetëm për evadimin e mbetjeve drejt landfillit të Sharrës për 6 mujorin e dytë të vitit 2020, do të ketë një kosto shtesë prej 1.36 milionë eurosh për një sasi mbetjesh të barabartë me 40 mijë ton.
Për 5 vitet në vazhdim, Durrësi parashikon se evadimi i mbetjeve drejt Sharrës do t’i kushtojë 2.56 milionë euro në vit ose 14.195 milionë euro në 5 vite.
Nëse këtyre kostove do t’u shtohet edhe tarifa e depozitimit të mbetjeve në Sharrë prej 29 euro/ton, bashkia e Durrësit duhet të paguajë çdo vit rreth 4.75 milionë euro për transportin dhe incenerimin e mbetjeve urbane -të cilat do t’i shtohen shpenzimeve aktuale prej 387 milionë lekësh për dy ndërmarrjet e shërbimeve komunale të bashkisë.
Ish-kryebashkiaku Dako i tha BIRN se tarifa e ofruar nga inceneratori i Sharrës është e papërballueshme për bashkinë e Durrësit.
‘Për ne është e padrejtë sepse është pa garë. Se nuk ka garë, si 29 euro apo 59 euro, nuk ka garë,’ tha Dako për koston e incenerimit të mbetjeve në Sharrë. ‘Kjo e falimenton bashkinë e Durrësit,’ shtoi ai.
Transporti dhe incenerimi i mbetjeve nga Durrësi në Sharrë e transformon këtë shërbim në zërin më të madh të buxhetit të qytetit, duke lënë pas shpenzimet për rrugët urbane dhe rurale apo për arsimin.
Për të përballuar këtë barrë financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka premtuar se do të avancojë transfertën e pakushtëzuar për vitin 2020, përmes një letre të dërguar në Bashkinë e Durrësit më 8 qershor.
‘Ministria e Financave do të marrë masat e nevojshme për mbulimin me fonde shtesë të efektit financiar të krijuar në bashkinë Durrës për trajtimin e mbetjeve në vitin 2020,’ thuhet në letër.
Në një shkresë të dytë në të njëjtën ditë, MFE i kërkoi bashkisë së Durrësit që në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të gjejë një zgjedhje përfundimtare për venddepozitimin e mbetjeve.
‘Bazuar në zgjidhjen teknike përfundimtare, bashkia duhet të përllogarisë efektin financiar me qëllim zgjidhjen e kësaj problematike për vitin 2020, si dhe të marrë masa për të përllogaritur efektin financiar për buxhetin e vitit 2021 e në vazhdim,’ shtoi Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Negociatat me koncesionarin
Më 11 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një propozim për shpalljen për herë të dytë të emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, për shkak të mbylljes së venddepozitimit të Porto-Romanos.
Një ditë më vonë, kryetarja në detyrë e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, i dërgoi kompanisë koncesionare ‘Integrated Energy B.V SPV’, një kërkesë për shprehje interesi për tarifën e depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, i njohur ndryshe si Zona e Depozitimit të Mbetjeve Tiranë. Ajo i kërkoi kompanisë që t’i vërë në dispozicion një akt-marrëveshje, në mënyrë që të njihen me kushtet dhe detyrimet.
Në të njëjtën ditë, ‘Integrated Energy BV SPV’ i kthen përgjigje bashkisë Durrës, duke i bërë me dije se tarifa e depozitimit të mbetjeve për bashkinë Durrës do të jetë 24 euro për ton për periudhën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2020. Bashkangjitur kësaj shkrese, ‘Integrated Energy BV SPV’ i dërgon bashkisë Durrës akt-marrëveshjen mes palëve.
Më 6 korrik, ‘Integrated Energy BV SPV’ i shkruan sërish bashkisë Durrës, duke e njoftuar se pas bisedimeve dhe dakordësisë me ‘instancat kompetente’, mbetjet nga pastrimi i bashkisë Durrës do të pranohen pa pagesë deri me 15 shtator, pra me tarifë zero.
Inceneratori i Tiranës po ndërtohet me një partneritet publik privat, ku taksapaguesi paguan koston e ndërtimit dhe operimit nëpërmjet tarifës së depozitimit të mbetjeve, për një faturë që në 30 vjet kap vlerën 339,7 milionë euro. Ndërkohë, koncesionari parashikon të përfitojë edhe 210 milionë euro nga shitja e skrapit dhe e energjisë elektrike.
Është e paqartë me çfarë analize kostoje është përcaktuar tarifa e ‘Integrated Energy BV SPV’ për Durrësin – qoftë ajo e përkohshmja prej 24 eurosh apo tarifa zyrtare prej 29 euro për ton. Aq më tepër që kompania pritet të përfitojë të ardhura shtesë nga skrapi dhe djegia e mbetjeve të Durrësit për energji elektrike.
Duke qenë se Durrësi prodhon 75,500 ton mbetje në vit, përfitimet e ‘Integrated Energy’ nga shitja e skrapit llogaritet të kapin një vlerë prej 1.88 milionë euro në vit, ose 56.4 milionë euro gjatë 30 viteve të koncesionit. Nëse do të paguhet dhe tarifa prej 29 për ton, kompania koncesionare përfiton edhe 65.7 milionë euro të tjera, për një total prej 122 milionë euro.
Kompania ‘Integrated Energy BV SPV’ nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi kostot dhe përfitimet nga depozitimi i mbetjeve të bashkisë Durrës.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Durrësit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se qyteti bregdetar, me iniciativë të pushtetit qendror, vazhdonte t’i depozitonte ‘në mënyrë të përkohshme pa pagesë’ në landfillin e Sharrës, deri në një vendimmarrje përfundimtare për zgjidhjen e situatës.
Se sa do të zgjasë ndërhyrja ‘misterioze’ e pushtetit qendror për depozitimin ‘falas’ të mbetjeve të Durrësit në Sharrë është ende e paqartë. Megjithatë, kur ‘dreka falas’ nga koncesionari të mbarojë, kostot që do të paguhen nga qyteti i Durrësit mund të jenë po aq shkatërrimtare sa tërmeti.
/Burimi: BIRN/ Përshtati: GazetaReforma.com/