Edhe pse një ditë e dielë, ku normalisht njerëzit duhet të pushojnë dhe qyteti të jetë më i qetë, drejtuesit e automjeteve në Tiranë dhe kaosi në trafik nuk ndryshojnë.
Euforia dhe arroganca e shoferëve në timon është mjaftë e lartë në Tiranë, sa kjo gjë është reale çdo ditë dhe konfirmohet nga incidentet e shumta.
Sot brenda një frekuence prej 1 ore në kryeqytet kanë ndodhur dy aksidente ku dy automjete kanë goditur dy kalimtarë, në zona afër njëra-tjetrës.
Ngjarja e parë ndodhi kur një vajzë 10-vjeçare ka mbetur e plagosur gjatë një aksidenti automobilistik sot në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:54, në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se drejtuesi me inicialet A.H., ka aksidentuar shtetasen e mitur me iniciale E.M., e cila është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Aksidenti te “21 Dhjetori”
Një aksident tjetër ka ndodhur para pak minutave tek udhëkryqi i “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku një i moshuar është goditur nga një makinë.
Policia tha se, mjeti i drejtuar nga E.C., ka aksidentuar këmbësorin I.M., rreth 70 vjeç, i cili u dërgua në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/GazetaReforma.com/