Presidenti Ilir Meta, është deklaruar sot kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve private, atij të Poçemit dhe të Kalivaçit, që të dy mbi shtratin e lumit Vjosa, për të cilin kreu i shtetit ka thënë se duhet të shpallet “Park Kombëtar”.
Debati për shpalljen ose jo të lumit Vjosa një “park kombëtar”, apo ngritjen në shtratin e tij të disa hidrocentraleve, është rihapur edhe një herë sot, në një konferencë të thirrur për këtë çështje.
Tryezën e rrumbullakët: “E ardhmja e lumit Vjosa, digat në Parkut Kombëtar”, ka bërë që Presidenti Meta, të mbajë një qëndrim në dukje “të ashpër”, ndaj asaj që po ndodh me lumenjtë e Shqipërisë, ku në krahasim me rajonin, janë dhënë gati dyfish leje për ndërtimin e HEC-eve.
“Personalisht unë do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen ‘Park kombëtar’, të pjesës lumore ku parashikohen HEC-et e Poçemit dhe të Kalivaçit”,- deklaroi Presidenti Meta në fjalën e tij në konferencë.
Sipas Metës, “prej vitit 2007, është rritur numri i përgjithshëm i HEC-eve të ndërtuara ose në ndërtim e sipër ose në plan.
Ekspertët theksojnë se sot nuk ka degë lumi që nuk është në proces ndërtimi apo në plan për t’u përdorur për HEC-e, dhe dendësia e tyre duket se është me larta në Ballkan, gati dyfish me vendet e rajonit.
Mbi 80 HEC-e janë dhënë edhe brenda zonave të mbrojtura të vendit, ose në zonave që janë të mundshme për t’u mbrojtur siç është rasti i lumit Vjosa”.
Presidenti përmendi më tej edhe faktin e digave mbi disa lumenj të tjerë, që tashmë janë shkatërruar.
“Mund të përmend këtu përpjekjet e dështuara të akademikëve, mjedisorëve dhe palëve vendore të interesuara për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve në parkun kombëtar të Valbonës.
Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe aktiviteteve të tjera ndërtuese jomiqësore, madje armiqësore do të thoja, veçanërisht brenda zonave të mbrojtura apo zonave që mund të mbrohen në të ardhmen, nuk mund të jetë kurrsesi një rrugë e blertë, një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit”,- tha Presidenti.
Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et së bashku, ose veç e veç, shkaktojnë ndikime të dëmshme si në kohë, hapësirë, ekosistem, brigjet lumore e cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, deri në ashpërsimin e klimës dhe nxitjen e mëtejshme të ngrohjes globale.
/GazetaReforma.com/