Skip to content
Rajoni

Vaksinën e COVID-19 do na e ofrojë Greqia? Çfarë u diskutua në takimin Mitsotakis- Zaev…

· 2 min lexim

Në kulmin e debatit mbarë-botëror për efektshmërinë ose jo të një vaksine kundër koronavirusit, si dhe kur e gjithë bota po proteston për mosbërjen e vaksinave me detyrim, duket se Shqipëria e ka gjetur një “zgjidhje”.

Kjo “zgjidhje” duket se vendit tonë do t’i vijë nga Greqia, e cila, sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do ta përfitojë falas ashtu si edhe shteti i tij.

Këtë gjë Zaev e ka zbuluar sot pas një takimi që pati dje në Athinë me kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis.

Kryeministri maqedonas, Zaev, ka zbuluar se homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, ka qenë i gatshëm për të ofruar vaksinën e COVID-19 tek Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në fund të këtij viti, Greqia nëpërmjet BE do të marrë vaksinën ndaj COVID-19 e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, por prodhuar nga gjigandi farmaceutik “AstraZeneca”.

Por tashmë BE ka dhënë mundësinë që vendet partnere, jo në BE mund ta përfitojnë në rast se u jepet si donacion nga vendet e BE, u shitet prej tyre, ose ua jep vetë OBSH.

Në këtë rast, Zaev thotë se, Greqia do ua japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, teksa kujtojmë se, kjo e fundit e ka siguruar edhe nga Polonia një garanci.

“Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u tregua i gatshëm që Greqi, si vend anëtar i BE të ofrojë vaksinën kundër covid-19 Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, pasi vaksina do arrijë fillimisht në vendet anëtare e më pas tek kandidatët për integrim. Për mua, kjo deklaratë është një provë e miqësisë së mirë”, – tha Zaev.

/GazetaReforma.com/