Ditën e sotme policia e Dubait ka arrestuar shqiptarin Denis Matoshi, i njohur edhe me emrin Elti Dizdari, i cili ishte “truri” i një organizate kriminale që merrej me trafikimin e kokainës.
Sipas policisë së Dubait, Matoshi ishte i kërkuar nga policia italiane dhe arrestimi është kryer për llogari të tyre.
Së bashku me të u arrestuan edhe 4 shqiptarë të tjerë, emrat e të cilëve janë bërë të ditur nga autoritetet.
– Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;
– Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;
– Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;
– Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari. Janë të arrestuarit e tjerë nga operacioni “Los Blancos”.
Policia e Dubait në një njoftim është shprehur se sapo ka marrë informacione për Matoshin ka ndërhyrë menjëherë duke bërë arrestimin e tij.
Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, është shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Sipas Policisë, nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.
Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia. Hetimet janë drejtuar nga prokurorët italianë dhe në total janë të gjitha këto shtete janë arrestuar 30 persona, mes tyre shumë shqiptarë.
Policia e Dubait bëri të ditur sot se organizata, e njohur si Kompania Bello, ishte një nga më aktivet në Evropë për trafikimin e kokainës, me xhiro rreth 350 milion euro. Denis Matoshi është shqiptari që u arrestuar nga policia e Dubait të martën gjatë operacionit ndërkombëtar me emrin e koduar Los Blancos.
Gjeneral Toger Abdullah Khalifa Al Merri, komandant i përgjithshëm i policisë së Dubait, tha se arrestimi i Matoshit ishte bërë në bashkëpunim me dhjetë vende të tjera.
‘I dyshuari shqiptar nga Kompania Bello u arrestua në Dubai pas një vëzhgimi intensiv të lëvizjeve të tij në Dubai, bazuar në mandatin dhe informacionet e shkëmbyera me autoritetet italiane’, tha Gjeneral Togeri Al Merri.
Kolonel Saeed Al Qemiz, drejtor i Departamentit të Personave në Kërkim në policinë e Dubait, tha se autoritetet italiane u kishin dhënë informacione për Matoshin.
‘Matoshi kërkohej nga Italia për drejtimin e bandës së trafikimit të drogës. Ata kishin trafikuar tonelata drogë në Evropë për shitje’, tha në një deklaratë Kolonel Al Qemiz.
Autoritetet italian monitoruan bandën që punonte e organizuar në tre grupe dhe secili kishte një lider dhe sloganet e simbolet e veta.
Kolonel Al Qemiz tha se Matoshi do t’u dorëzohet autoriteteve të Interpol Italia pasi të kryhen procedurat e duhura ligjore.
Sipas AP, banda shpesh e shpërndante drogën duke përdorur makina me hapësira të fshehta për të fshehur drogën dhe paratë. Ajo përdorte kriminelë kinezë për pastrimin e parave përmes një sistemi sekret transfertash.
Europol tha se aksioni ishte ndër më të mëdhatë kundër bandave kriminale shqiptare dhe shtoi se ata negocionin me kartelet në Amerikën e Jugut për të trafikuar drogë në Europë, Rusi e Turqi përmes komunikimit të koduar.