Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, drejtorit Zamir Dedej, Edison Konomit dhe kryebashkiakut Tërmet Peçi, u janë nisur letrat për në SPAK.
Kjo e fundit ka marrë dosjet në shqyrtim për këta persona me funksione të larta publike dhe shtetërore, pasi këta të fundit akuzohen dhe dyshohet se kanë prishur dhe tjetërsuar pasuri të çmuara natyrore, duke i shitur për biznese.
Personat e mësipërm janë përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë, dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit.
Sipas materialeve në dosjet që i janë nisur SPAK-ut, gjatë 8 viteve, qeveria e Edi Ramës ka bërë dëme të mëdha në çdo fushë, por sidomos në ato të burimeve natyrore dhe pasurive kombëtare të vendit.
Përmes korrupsionit, janë shkatërruar pasuri te mëdha natyrore, për rikuperimin e të cilave duhen me dhjetëra vite.
Në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion janë depozituar 3 padi penale ndaj zyrtarëve përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit.
Ato u përkasin Blendi Klosit, Zamir Dedejit, Edison Konomit dhe Tërmet Peçit, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkatërrimin e pasurive natyrore të vendit.
Padia e parë ndaj Blendi Klosit dhe Drejtorëve të tij, Dedej dhe Konomi, bëhet për kthimin e Parkut Kombëtar Dajt në një gurore masive, për interesat e xhepit të zyrtarëve dhe oligarkut të qeverisë “Gjoka Konstruksion”.
Parku Kombëtar i Dajtit dhe Monumentet e Natyrës si “Shkalla e Tujanit” (ku sipas ligjit duhen zbatuar masat më të rrepta të mbrojtjes së natyrës) janë kthyer në gurore masive dhe diga.
Për të shtuar milionat, Gjoka kthen Parkun e Dajtit dhe monumentet e natyrës në gurore, ndërsa zyrtarët mbyllin sytë, veshët dhe gojën duke lejuar dëm mjedisor dhe vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës.
Padia e dytë është për drejtorin famoz të Klosit, Zamir Dedej.
Ai akuzohet se ka abuzuar dhe ka vjedhur, përmes shpërdorimit të detyrës rreth 490 mijë euro para publike (deri më sot), fillimisht duke çuar buxhetin e shtetit tek shoqata që drejtonte, derisa u emërua drejtor, e më pas në një shoqatë të paregjistruar fare në QKB dhe me NIPT që nuk ekziston!
Padia e tretë është për Termet Peçin, kryebashkiakun ilegjitim të Tepelenës dhe sërish për Zamir Dedejin, që kanë lejuar dhe dhënë leje për ndërtim objekti 6 katësh në shtrat lumi dhe mu në monumentin e natyrës “Uji i Ftohte”.
Ligji për Zonat e Mbrojtura dhe Ligji për Burimet Ujore e ndalojnë kategorikisht këtë gjë. Kufijtë e zonave të mbrojtura nuk mund të lëvizen sipas interesave të xhepit të zyrtarëve të korruptuar dhe për këtë krim mjedisor ata duhet të japin llogari.
Partia Demokratike ka depozituar sot në SPAK plot 3 padi penale, për krimet mjedisore dhe korrupsionin në sektorin e mjedisit.
/GazetaReforma.com/