Gjatë mega-operacionit të ndodhur ditën e sotme në 10 shtete, ku u shkatërrua një kartel ndërkombëtar i drogës, janë arrestuar edhe 10 shqiptarë.
Mësohet se 5 prej tyre janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa 5 shtetas të tjerë janë ndaluar në vende të ndryshme evropiane.
Bëhet me dije se në pranga kanë rënë Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani, Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari, Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Hollandë, Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë, ndërsa Altin Velsulas (Hoxhës), 36 vjeç, komunikuar masa e sigurisë arrest me burg, pasi ai ndodhet në burg në Norvegji.
Ndërsa nga operacioni i koordinuar në vendin tonë, u arrestuan shtetasit Elvis Jaupaj, Vladimir Lesaj, Rexhino Ibrahimi, Gentjan Manaj dhe Jorin Llambro.
Mes shqiptarëve të kapur nga mega-operacioni i koordinuar nga policitë e disa vendeve, ishte edhe Denis Matoshi alias Elti Dizdari, i cili sipas informacioneve është ndaluar në Dubai me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Objektivi i super- operacionit, raportohet të ketë qenë shkatërrimi i linjës së madhe ndërkombëtare të trafikut të kokainës që nisej nga Ekuadori, zbarkonte në Europë dhe më pas ndër të tjera milionat e eurove investoheshin edhe në Shqipëri e Dubai.
Ky aksion pason arrestimet e mëparshme të 84 anëtarëve të kësaj organizate kriminale, në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.
Sipas grupit hetimor thuhet se, pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare, dyshohet se është edhe shqiptari nga Vlora, Dritan (Gramoz) Rexhepi, i cili ndodhet i arrestuar në burgun e Kuitos në Ekuador që nga 24 qershori i vitit 2014-t./ GazetaReforma.com
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit
Në vijim të informacionit të dhënë për operacionin mjaft të suksesshëm ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS”, zhvilluar me homologët ndërkombëtar, si rezultat i të cilit, në Shqipëri, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit u kapën dhe u arrestuan 5 persona, bëjmë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” edhe për disa shtetas të tjerë, pjesëmarrës të organizatës kriminale, të cilët janë rezidentë jashtë shtetit.
Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me autoritetet policore italiane, rumune, holandeze, spanjolle dhe hungareze, në kuadër të operacionit “LOS BLANCOS”, u bë u kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit:
Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;
Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;
Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;
Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.
Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Policia e Shtetit ka një bashkëpunim solid me partnerët dhe është e angazhuar maksimalisht dhe me profesionalizëm në finalizimin e shumë operacioneve të rëndësishme në kuadër të goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme që do bëhen prezent në kohën e duhur.