Dhënia e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Butrintit me koncesion nga ana e qeverisë Shqiptare një kompanie private, ka indinjuar UNESCON e cila është përgjigjur nëpërmjet kreut të saj.
Qendra e Trashëgimisë Botërore në UNESCO distancohet nga plani për dhënien e Butrintit me koncesion, dhe i ka bërë thirrje qeverisë “Rama” që të rishikojë vendimin.
Drejtoresha e Qendrës, Mechtild Rössler, nëpërmjet një e-maili u është përgjigjur sot disa pyetjeve të bëra nga portali “Dosja.al”, duke theksuar se shtetit shqiptar i është kërkuar disa herë rishikim, dhe se ICOMOS, i ka kërkuar autoriteteve që për këtë plan duhet të mbahej e informuar për ndryshimet edhe UNESCO.
Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Mechtild Rössler, ka pohuar se, UNESCO nuk ka pasur asnjë rol në hartimin e planit për menaxhimin e Butrintit, që sugjeron që Parku Kombëtar t’i jepet një njësie private me koncesion për 10 vite.
Drejtoresha e Qendrës thotë se, drafti për menaxhimin është dërguar nga shteti shqiptar në tetor 2019, dhe pas rishikimeve në dhjetor 2019, iu dha sërish shtetit shqiptar për të marrë parasysh rekomandimet.
Shteti e ktheu sërish draftin në Janar, dhe ICOMOS, i kërkoi sërish rishikim teknik dhe kërkesë që UNESCO të mbahej e informuar për ndryshimet.
Por, përgjegjësia për ta menaxhuar publiku apo privati, sipas UNESCO-s është e shtetit shqiptar.
Komenti i Mechtild Rössler:
“Draft Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030) u paraqit në Qendrën e Trashëgimisë Botërore nga shteti shqiptar në Tetor 2019 dhe u shqyrtua nga Organet Këshilluese, ICOMOS dhe ICCROM. Rishikimet Teknike iu transmetuan Shtetit në Dhjetor 2019 për t’i marrë parasysh.
Një draft i rishikuar i Planit të Menaxhimit të Integruar 2020-2030 u soll nga Shtet në Janar 2020. Pyetje shtesë iu dërguan Shtetit në Shkurt 2020 pas takimeve, e po ashtu edhe një Rishikim i dytë Teknik nga ICOMOS iu transmetua Shtetit në Qershor 2020 me një kërkesë për ta mbajtur Qendrën e Trashëgimisë Botërore të informuar se si merren parasysh këto komente.
Ju lutem vini re gjithashtu se dispozitat përkatëse për të gjitha sistemet e menaxhimit janë të mbuluara nga Udhëzimet Operative për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore (https://ëhc.unesco.org/en/guidelines/) në paragrafët 108 deri 118. Ju lutem vini re se tregohet qartë në paragrafin 117 se “Shtetet Palë janë përgjegjëse për zbatimin e veprimtarive efektive të menaxhimit për një pronë të Trashëgimisë Botërore.
Shtetet Palë duhet ta bëjnë këtë në bashkëpunim të ngushtë me menaxherët e pasurisë, agjencinë me autoritetin e menaxhimit dhe partnerë të tjerë, komunitetet lokale dhe popujt indigjenë, mbajtësit e të drejtave dhe palët e interesit në menaxhimin e pronës, duke zhvilluar, kur është e përshtatshme, rregullime të drejta të qeverisjes, sisteme bashkëpunimi të menaxhimit dhe mekanizmat e dëmshpërblimit”.
Kjo do të thotë që ndërsa Shteti Palë mund të vendosë për sistemin e menaxhimit/ menaxherin e sitit, ai ka detyrimin në kuptim të Konventës së vitit 1972 për të siguruar menaxhim efektiv në pronën e Trashëgimisë Botërore.
Emaili
Por çfarë po ndodh me Butrintin?
Qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re.
Ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.
Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).
Plani, sipas Ministrisë së Kulturës, është hartuar në referencë të plotë me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO”.
Por kritikët thonë, se me paratë që Butrinti nxjerr në vit, nuk shpenzon as 30% të tyre, e kësisoj nuk ka nevojë për një menaxhim me PPP.
/Burimi: Dosja.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/