Protestat dhe dhuna policore kanë kudo në botë të njetën pamje dhe shpesh duket sikur kanë dalë nga e njëjta histori që përsëritet.
Në Bjellorusi, të paktën 100,000 protestues dolën të dielën në rrugët e Minskut, në njërën nga demonstratat më të mëdha kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko, pas zgjedhjeve të 9 gushtit, për të cilat rivalët e tij thonë se, ishin të manipuluara.
Ndërsa zemërimi i publikut vazhdon të rritet ndaj Presidentit Lukashenko, i cili sundon në këtë vend ish-sovjetik prej 26 vjetësh, Moska i ka ofruar atij mbështetje.
Kjo e fundit ka deklaruar se do të dërgojë në Bjellorusi trupa parashutiste për stërvitje të përbashkëta me emrin “Vëllazëria Sllave”.
Një kolonë e madhe njerëzish marshoi të dielën nëpër kryeqytetin Minsk drejt ndërtesave qeveritare, duke brohoritur “Rroftë Bjellorusia” dhe “Ti je një mi”, parrullë e përdorur shpesh kundër Lukashenkos gjatë demonstratave.
Ata ndaleshin dhe thërrisnin “fashistë” ndërsa qindra policë me mburoja kishin bllokuar rrugën. Ndërkohë në qytetin Brest, policia përdori makinat e ujit kundër protestuesve, sipas kanalit “Nexta Live”.
Policia tha se, kishte arrestuar rreth 250 persona në Minsk.
Ndërkohë, pamjet e një arrestimi u bënë virale në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, ku tregonin një të ri, të shtrirë përtokë nga forcat e sigurisë me fytyrën në rrugë.
Fotoja ngjason me momentin kur policia shqiptare dhunoi të riun Bledi Shahu, gjatë protestave kundër prishjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë.
/GazetaReforma.com/