Skip to content
Aktualitet

Turizmi shqiptar doli ‘gropë’ në 3-mujorin e dytë, humbje miliona euroshe nga mungesa e pushuesve të huaj  

· 3 min lexim

Efekti i pandemisë dhe i karantinës i dha pasojat e tij këtë vit në turizmin shqiptar, ku për ai që duhet të ishte sektori kryesor i gjenerimit të parave në ekonomi, doli “gropë”.

Të dhënat më të fundit të bëra publike nga institucionet shtetërore, tregojnë për një “greminë” financiare, që u krijua si pasojë e mbylljes së pastudiuar të aktiviteve ekonomike në vend.

Për të gjtihë 6 muajt e parë të vitit 2020, bilanci i udhëtimeve rezultoi me një qarkullim prej 91 milionë eurosh, nga 157 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku humbja ishte me 42%.

Shpenzimet e të huajve për 6-mujorin ishin vetëm 409 milionë euro, në gati një  përgjysmim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tremujori i dytë i vitit shënoi edhe peroudhën e humbjeve më të mëdha në ekonomi dhe sidomos në sektorin turistik, si rrjedhojë përpjekjeve për parandalimin e pandemisë.

Mbyllja e kufijve, ndalja e fluturimeve të avionëve, si dhe mbyllja e detyruar e njërëzve në për shtëpi në pjesën më të madhe të kohës, solli jo vetëm pasojë sociale, por edhe një gropë të madhe ekonomike.

Shumëkujt iu desh që të anulonte planet e udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa të huajt pezulluan prenotimet për në hotelet shqiptare.

Të dhënat e para nga Banka e Shqipërisë, treguan se bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë, ishte vetëm -2 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit.

Të huajt shpenzuan në Shqipëri vetëm 63 milionë euro në tremujorin e dytë, nga 506 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një tkurrje prej 87%, ose 443 milionë euro më pak.

Edhe shqiptarët, në udhëtimet e tyre jashtë vendit, shpenzuan rreth 65 milionë euro, nga 425 milionë euro në tremujorin e dytë 2019, me një rënie prej rreth 85%, ose 361 milionë euro më pak.

Bilanci i udhëtimeve për këtë periudhë ishte pothuajse zero, ndërkohë që hotelet e kanë ndier mungesën e të huajve, që kanë shpenzuar rreth 440 milionë euro më pak në tre muajt e dytë të vitit.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv me 81 milionë euro për Shqipërinë.

Për 6 mujorin, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv për 91 milionë euro, nga 157 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 42%.

Shpenzimet e të huajve për 6-mujorin ishin vetëm 409 milionë euro, në përgjysmim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, është 1.380.308 duke rënë 48,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve tëhuaj të hyrë në vendin tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, është 781.894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në vitin 2019, që ishte më i miri për turizmin deri tani, bilanci pozitiv i udhëtimeve ishte rreth 500 milionë euro.

Të huajt shpenzuan atë vit rreth 2 miliardë euro në udhëtimet në vend, ndërsa shqiptarët harxhuan jashtë rreth 1.5 miliardë euro.

Por ajo që vlen për t’u theksuar, është fakti se për të lehtësuar barrën e operatorëve turistik në vend, apo për të stimuluar turizmin vendas, qeveria dhe ministria e Turizmit, edhe pse thanë mjaftë gjera, bënë fare pak, ose asgjë në disa drejtime.

/GazetaReforma.com/