Vetëm disa javë pas një shpërthimit të fuqishëm ku u shkatërrua gjysma e qytetit dhe mbetën të vrarë shumë njerëz, një zjarr i madh ka rënë në Portin e Beirutit.
Sipas pamjeve nga mediat ndërkombëtare atje, vihen re flakë të mëdha dhe sasi të mëdha tymi të shpërndarë në të gjithë portin.
Pas vatrës së madhe të zjarrit, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat zjarrëfikëse, ndërsa në ndihmë nga ajri kanë shkuar edhe helikopterë.
Ndërkohë trupat ushtarake që kanë shkuar në vendngjarje, kanë deklaruar se pas konstatimit të tyre, zjarri ka shpërthyer nga një depo që ruante goma dhe vaj në zonën e portit.
Sakaq banorët ende pa marrë veten nga paniku i para një muaji, sërish janë tmerruar nga ky zjarr i madh i cili shpërtheu në Portin e qytetit.
Sipas mediave lokale, bëhet me dije se kompanitë që kanë zyrat pranë portit, u kanë kërkuar punonjësve të tyre që të largohen nga zona.