Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin final duke dënuar me burgim të përjetshëm ish-oficerin grek Efthimio Efthimiousin, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit më 29 janar të vitit 2018.
Po ashtu edhe pretenca e Prokurorisë, kishte kërkuar për ish-efektivin e forcave speciale greke burgim të përjetshëm për ekzekutimin e Devi Kasmit.
Ndërkohë për bashkëpunëtorin e ish-oficerit grek, Elton Habilajn, Gjykata e Posaçme vendosi që ta dënojë me 33 vite burg, 2 vite më pak nga sa e kishte kërkuar Prokuroria.
Gjatë majit të 2019-tës, i pandehuri Efthimiousi i kishte mohuar akuzat e ngritura ndaj tij si ekzekutor i Kasmit, por Gjykata e Posaçme ka pasur prova dhe ka qenë e bindur për fajësinë e grekut.
Kujtojmë se i ndjeri Devi Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup më 29 janar të vitit 2018.
Sipas hetimeve, policia dyshon se porositës i vrasjes së tij është Domart Konjari, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare, por edhe ato franceze. Vrasja ka dyshime se ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë.
Pas ekzekutimit të Devi Kasmit, policia gjatë kontrollit të banesës së tij më pas, arriti që të gjente 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.
Kush ishte (Dëfrim)Devi Kasmi:
Viktima që njihej me pseudonim “Dëfrim qorri”, ishte një person që ruante një profil të ulët. Daljet e tij ishin të rralla, dhe për këtë arsye ai kishte marrë edhe nofkën “fantazma”, pasi shumë pak persona ia njihnin fytyrën.
Ai ka qenë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës në Francë dhe Spanjë, ndërsa pista ku po heton policia për vrasjen e tij thuhet të jetë ajo e hakmarrjes për shkak të kontrolleve për territor në Evropë.
Emri i Devi Kasmit, është i njohur për policinë e Tiranës, pasi ai ka qenë i përfshirë në një atentat të ndodhur në vitin 2010.
Gjatë kontrollit të bërë në banesën e tij, policia gjeti policia gjeti rreth 3 kilogramë kokainë dhe një kallashnikov me silenciator që i përkisnin viktimës.
Kasmi rezulton i shpallur në kërkim në vitin 2010 për veprën penale të falsifikimit, pasi ishte dënuar nga gjykata e Pogradecit me 1 vit burg. Më 2014 ai u hoq nga lista e të shpallurve në kërkim.
Kasmi nuk rezulton të jetë marrë me aktivitete të paligjshme në Shqipëri, por në Spanjë ku ka jetuar për shumë vite.
Dëfrim Kasmi dhe vrasësi i tij Domart Konjari, ishin miq të ngushtë, dhe së bashku realizonin trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut dhe e transportonin drejt Spanjës dhe Francës.
Më pas miqësia mes tyre u prish për shkak të një konflikti ku shkak ishte Franc Konomi.
Ky i fundit u vra në një atentat mafioz në vitin 2010.
Mendohet se grupi i Dëfrim Kasmit ishte prapa ekzekutimit të Franc Konomit.
Për të marrë hak, grupi i Domart Konjarit gjeti vendndodhjen në Spanjë ku po qëndronte Dëfrim (Devi) Kasmi.
Domart Konjari së bashku me një shokun e tij të paidentifikuar tentuan ta vrasnin.
Dy palët u përleshën me njëri-tjetrin dhe Dëfrim Kasmi mundi t’iu merrte pistoletën Konjarit.
Këtë të fundit e la të plagosur, ndërsa mikun e tij e vrau. Që prej ateherë, ka pasur vazhdimisht hasmëri mes Domart Konjarit dhe Devi Kasmit.