Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli ka lajmëruar ditën e sotme se nuk do të kthehet në Partinë Demokratike për sa kohë ajo do të drejtohet nga Lulzim Basha.
Gjatë një interviste për A2, Topalli akuzoi Partinë Demokratike se ka vepruar me dy standarde në procesin që ka nisur për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Më tej ajo u shpreh e fyer, që i është kërkuar të plotësonte formularin e fazës së parë edhe pse një udhëzim i PD e përjashtonte nga ky detyrim.
“Atë e kam në postën time elektronike dhe jam habitur shumë. Por më shumë jam habitur nga qëndrime të ndryshme nga ata që vendosin për të tilla gjëra. Ndoshta në fakt nuk është fjala e duhur “çuditur”, pasi nuk duhet të çuditesh kur ka disa standarde në procese të caktuara që për mua nuk janë thelbësore, por formale”, tha Jozefina Topalli.
Gjithashtu Topalli akuzoi edhe kryedemokratin Lulzim Basha se ka dobësuar opozitën dhe shtron nevojën e një lëvizje të shqiptarëve për të sjellë ndryshim.
“Nuk kam dëshirë të hyj apo të krijoj parti politike. Dëshira ime është të krijohet një lëvizje për ndryshim pasi ka një të vërtetë të madhe. Nëse gjërat shkojnë keq duhen ndryshuar. Rotacioni mes tre personave që bashkëpunojmë me njëri-tjetrin nuk kanë sjellë ndryshim. Është riciklim”,nënvizoi Topalli