Ashtu siç ishte parashikuar, pas një muaji pushime verore ka nisur sot seanca e parë plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në nisje të seancës, në sallën e Kuvendit u vendos Himni kombëtar, ndërsa deputetët e opozitës Dhe maxhorancës të pajisur me maska u ngritën në këmbë dhe kënduan vargjet e këngës simbol të shqiptarëve.
Pas Himnit Kombëtar, fjalën e hapjes së këtij sesioni të fundit për legjislaturën e mbajti kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili u shpreh se sesionin e kaluar u morën disa vendime të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Sesionin që lamë pas morëm disa vendime shumë të rëndësishme, së bashku edhe me partitë e tjera jashtë Kuvendit. Përshëndes marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes së ndërsjelltë.Në 25 mars Këshilli Europian vendosi çeljen e negociatave për Shqipërinë, e cila ishte një sukses i merituar”, tha ndër të tjera Ruçi.
Kujtojmë se rendi i ditës do të përbëhet nga 4 pika duke filluar nga miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 29.07.2020 dhe 30.07.2020 tek Miratimi/Njoftimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator – 16 tetor 2020.