Ka dalë nga koma lideri i opozitës ruse Alexei Navalny. Ky lajm është bërë i ditur nga mjekët e spitalit Charité në Berlin të cilët po kujdesen për shëndetin e udhëheqësit rus.
“Pacienti ka dalë koma dhe është duke u mbajtur në ventilimin mekanik,” njoftoi spitali i Berlinit në një deklaratë.
Mjekët thanë se Navalny është tashmë i përgjegjshëm, por nuk ka asnjë siguri, për atë se helmimi mund t’i shkaktojë edhe “pasoja afatgjata në të ardhmen”.
“Ai po u përgjigjet stimujve verbalë. Mbetet ende shumë herët për të folur rreth efekteve afatgjata që mund të ketë lënë helmi i fortë. Mjekët mbeten në kontakt të ngushtë me bashkëshorten e Zotit Navalny. Pas konsultimit me gruan e pacientit, Charité sigurohet se vendimi për t’i bërë publike detajet e gjendjes së pacientit është marrë me pëlqimin e saj.”
Kujtojmë se kundërshtari i presidentit rus Vladimir Putin, Navalny u sëmur rëndë më 20 gusht ndërsa aleatët e tij besojnë se ishte një helmim. Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim me një avion ambulancë.
Përkrahësit e tij dyshojnë se lënda helmuese ishte hedhur në një filxhan çaji që ai piu në aeroport në Tomsk.Mjekët rusë insistuan më parë se nuk ishte gjetur helm në trupin e tij dhe sugjeruan një çrregullim metabolik të shkaktuar nga sheqeri i ulët në gjak.
Por zyrtarët rusë shëndetësorë treguan se gjurmët e një lënde kimike industriale ishin gjetur në lëkurën dhe flokët e tij.Kreu i opozitës ka qenë në kujdesin intensiv dhe në gjendje kome deri më tani.