Ditën e sotme njësia Antimafia ka arritur që të arrestojë në Londër njërin prej kokave të grupit kriminal që u godit në operacionin ndërkombëtar italo-shqiptar gjatë muajit gusht.
Mësohet se Antimafia ka arrestuar në Londër Elton Hamzën, i cili së bashku me Robert Myftarin dhe 35 individë të tjerë të cilët u arrestuan gjatë një mega-operacioni në Vlorë gjatë kësaj vere, akuzohen për grup të strukturuar kriminal dhe për trafikim të lëndëve narkotike në rrugë detare, nga Vlora në drejtim të Barit.
Specialistët e Antimafias, pas një kohe të gjatë gjurmimi, i ngritën një kurth Hamzës. Agjentët duke ditur se Hamza ishte një përdorues i rregullt i rrjeteve sociale dhe kishte një profil në Instagram, por me emër tjetër, e shfrytëzuan këtë fakt, duke krijuar një profil fallco të një vajze shqiptare.
Me anë të profilit fallco, agjentët e kanë joshur Hamzën, i cili ky i fundit duke pretenduar se po fliste me një vajzë shqiptare, kishte lënë takim në një kafene në Londër.
Mirëpo kur ka shkuar në takim në kafe, Hamza është arrestuar nga agjentët e Anti-Mafias.
Kujtojmë se gjatë operacionit në Gusht, policia përveç arrestimeve sekuestroi edhe një sasi droge me vlerë mbi 40 milionë euro. Hamza dhe të tjerët u përgjuan për më shumë se 4 vite dhe gjatë kësaj periudhe kohore, grupi i strukturuar u godit disa herë nga policia, duke iu sekuestruar herë pas here sasi dorge dhë vlera monetare, por grupi nuk e ndaloi aktivitetin.
Sakaq pas një periudhe të gjatë përgjimi, antimafia italiane kërkoi bashkëpunimin e SPAK, pasi grupi drejtohej nga shqiptarë. 10 pjesëtarë të këtij grupi kriminal u arrestuan në Shqipëri, përkatësisht në Vlorë dhe në Tiranë.
Ndërkohë mësohet se Elton Hamza, i riu nga Orikumi, prej disa kohësh ishte i fshehur në Shqipëri, madje gjatë kësaj kohe ka mundur t’i shpëtojë edhe dy operacioneve të policisë.
Më pas prej disa javësh i riu nga Orikumi i cili kujdesej për trafikun e drogës nga Vlora drejt Italisë, ishte zhvendosur në Londër, ku edhe u arrestua ditën e sotme.