Policia e Pogradecit ka arrestuar një shofer fugoni mallrash, i cili kishte fshehur brenda 27 emigrantë ilegalë të kombësive të ndryshme magrebiane dhe arabe.
Mësohet se pas kontrollit, policia ka gjetur brenda në fugon 27 emigrantë të paligjshëm të shtetësive të ndryshme si algjerianë, marokenë, kurdë apo sirianë.
Ata udhëtonin nga Bilishti drejt Tiranës dhe më pas me destinacionin final në vendet e BE-së.
Përveç shoferit të fugonit, policia po heton edhe mundësinë e personave të tjerë bashkëpunëtor të dyshuar në përfshirjen e kësaj skeme trafikimi të emigrantëve të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Gjatë muajve të fundit, pothuajse çdo ditë policia ka kapur raste të tilla tafikimi, në tentativat për të kaluar përtej kufirit emigrantë të paligjshëm.
Pavarësisht këtij fenomeni, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Njoftimi i Policisë:
Qarku Korçë
Vijon operacioni i koduar “Perimetri”.
Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Transportonte 28 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- D., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi i mësipërm, u kap në lagjen nr. 3, Pogradec, nga punonjësit e Policisë Rrugore, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” në drejtim të Tiranës, 28 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit prej 100 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.