Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ka kërkuar kryeministrit Rama që të bëjë transparencë për negociatat me Greqinë në lidhje me kufirin detar.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Paloka thekson se Rama pasi u fut fut në pazar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, tani nuk bën asnjë transparencë për kufirin detar të Shqipërisë.
Postimi i plotë:
“Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas përbetimeve për kokë të babit. Shqiptarët e dinë që ai është gënjeshtar dhe nuk thotë kurrë të vërtetën. Sa herë kapet me presh në duar, ai nis sulmet ndaj opozitës dhe medias.
Sot që s’ka as Gjykatë Kushtetuese, drejtësia dhe çdo pushtet tjetër është në dorën e këtij njeriu, i cili tani po shet kufijtë e vendit. Pasi u fut në pazar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, tani nuk bën asnjë transparencë për kufirin detar të Shqipërisë.
Ekspertët e fushës e kanë thënë qartë: Sipas ligjit ndërkombëtar, për shkak të pozicionit gjeografik të dy vendeve “ku përfshihen brigje përballë” delimitimi i detit ka specifika të veçanta, ndaj deklarimi i njëanshëm i njërës palë për zgjerimin me 12 milje nuk mund të aplikohet pa dakordesinë e palës tjetër. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë, pse po jep dakordesinë Edi Rama pa bërë transparencë, si dhe sa e prek kjo hapësirën detare shqiptare apo të drejtat e Shqipërisë?”, ka shkruar Paloka.