Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ka reaguar sërish në lidhje me deklaratat e kryeministrit Mitsotakis dje në parlamentin grek, ku tha se Greqia do marri 12 milje në Jon, në marrëveshjen detare me Shqipërinë.
Me në të një postimi në rrjetin social Facebook, Cakaj ka shkruar se “zgjerimi i gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”.
Postimi i plotë:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Italisë dhe Greqisë, si dhe mes Greqisë dhe Egjiptit.
Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut, duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok.
Me këtë rast, lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982.
Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS.
Vetë Shqipëria në bazë të kësaj konvente ku është palë, ka ushtruar të drejtën për të përcaktuar gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje detare, zgjerim i cili është depozituar pranë Kombeve të Bashkuara që prej 9 marsit 1990 dhe që nuk është kontestuar për asnjë moment nga fqinjët tanë.
Kjo e drejtë që buron nga konventa nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare janë të
detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale deri në 12 milje detare.
Sidoqoftë, qeveria shqiptare do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj, i cili mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapësirën detare që i takon” ka shkruar ministri i Jashtëm Cakaj.