Policia e Shtetit ka bërë ditën e sotme disa lëvizje në strukturat e saj hierarkike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në një ceremoni vlerësimi ndaj ZV/Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, e cila do të largohet nga ky post sepse do të jetë në krye të Drejtorisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), prezantoi edhe lëvizjet e reja në disa detashmente të Policisë.
Drejtori Ardi Veliu ka komunikuar se vendin e Aida Hajnajt, tashmë do ta mbulojë Albert Dervishaj, i cili më herët ka qenë drejtor i Rendit Publik.
Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njoftoi se Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Idajet Faskaj, është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, ndërsa vendin e tij e ka zënë Pëllumb Seferi.
Seferi më herët ka qenë Drejtor i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.