Dy anëtarët e KPA-së, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, akuzohen nga dy ish-prokurorë dhe një ish-gjyqtar se kanë gënjyër gjatë aplikimit dhe procesit të tyre të përzgjedhjes për një pozicion pune në institucionet e rivlerësimit. Pretendohet se Daci dhe Ardian Hajdari kanë kryer evazion fiskal dhe fshehje pasurie.
Dy anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, gjyqtarët Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK për falsifikim, fshehje të ardhurash dhe mosdeklarim apo fshehje pasurie.
Ky kallëzim penal është bërë nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Antoneta Sevdari, ish-prokurori i Korçës Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, të cilët janë shkarkuar nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit.
Kujtojmë këtu se Luan Daci u pezullua për mashtrim të institucioneve nga SPAK, por ai u rikthye në detyrë nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo e fundit vendosi të ndryshojë vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit dhe ta rikthejë në detyrë anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, Luan Dacin, pas akuzës për falsifikimi të dokumenteve. Më 20 maj Luan Daci u pezullua nga detyra, si gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi SPAK njoftoi se shkak për këtë pezullim është bërë fshehja e shkarkimit të tij nga detyra në vitin 1997. Hetimi ka nisur disa muaj më parë, përfshirë këtu disa institucione që kanë marrë përsipër akuzat dhe ai akuzohet se ka mashtruar institucionet shqiptare, ndërkohë që ka patur rol kryesor në mbajtjen në punë ose largimin të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri.
Kush është Luan Daci?
Gjyqtari Luan Daci është shkarkuar në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi, në krye të të cilit në atë kohë, ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Daci, në deklarimin që ka bërë më 18 nëntor 2016 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka thënë se është vetëlarguar nga sistemi më 1997, por SPAK, ka arritur të provojë se Daci ka mashtruar institucionet shqiptare. Denoncuesit ndaj Daçit shprehen se i bazojnë pretendimet e tyre në dokumente të siguruara nga Kuvendi, Avokati i Popullit dhe nga informacione që janë publike në institucione të tjera shtetërore. Kallëzuesit pretendojnë se Luan Daci dhe Ardian Hajdari fillimisht janë përcjellë në Kuvend në listën e kandidatëve që nuk i plotësojnë kriteret formale dhe se mbetet e paqartë se si arritën të kualifikohen e të zgjidhen në nivelin më të lartë të institucioneve të vetingut.
Ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Antoneta Sevdari është shprehur edhe më herët për Dacin kur ai u shkarkua.
Sevdari u shpreh se anëtarët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit zgjodhën personat që nuk e njihnin Kodin Penal dhe në vend që të reformimonin drejtësinë shqiptare, e shkatërruan atë në themele.
Ish-prokurorja akuzon Dacin, duke thënë se ai me paturpësi ka falsifikuar dhe ka gënjyer Kuvendin duke u zgjedhur si anëtar të KPA. Por Luan Daci dhe Ardian Hajdari, nuk janë të vetmët që i kanë bërë “bisht” drejtësisë. Natasha Mulaj është e shumë diskutuara nga mediat shqiptare që nuk duhet të jetë në krye të Kolegjit të Posacëm të Apelimit. Që në momentin e kandidimit dhe përzgjedhjes së saj si gjyqtare në këtë organ të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk plotësonte kushtet për t’u zgjedhur.
Kryetares së KPA i mungonte eksperienca 15 vjeçare si gjyqtare, prokurore, avokate, profesore e së drejtës, nëpunëse e shërbimit civil në nivel drejtues, ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës. Gjithashtu, znj. Mulaj, sipas deklarimeve të vetë saj në formularin e aplikimit për të qenë pjesë e KPA ka pasur statusin e gjyqtares, i cili përbën ndalim kushtetues dhe ligjor për përzgjedhjen e kandidatit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Nuk ka kohë 15-vite si gjyqtare, prokurore, avokate, profesore e së drejtës, nëpunëse e shërbimit civil në nivel drejtues, por ka falsifikuar, sikur e ka këtë vjetërsi pune. Ka deklaruar, se ka patur Statusin “Gjyqtare”; gjë që Kushtetuta e ndalon kategorikisht, të jetë Anëtare në komisionet e “Veting”-ut KPK e KPA.
Në vetë-deklarimit personal, datë 6 shkurt 2017 për aplikim si Anëtare e KPA, ka konfirmuar se në 3 vitet 2013-2017, ka qenë ndihmëse në biznesin e ndërtimit “Construction Management Allience-Albania” dhe të trojeve, guroreve, HEC-ve e në “biznese” të tjera “pakëz” jo ligjore, të vëllezërve të saj, Admir e Vladimir Mulaj; por këto janë biznese me probleme anti-ligjore tatimore, doganore e penale.
Nuk ka deklaruar, që datën 16 qershor 1997, i është vrarë bashkëshorti Sokol Haklaj; në atentat në Milot, si pjesë e bandave kundërshtare të trafikut të armëve, vrasjeve, përdhunimeve, akteve terroriste, grabitjeve dhe uzurpimit të territoreve të zonës Tropojë- Kosovë.
Nuk ka deklaruar, që vëllai i saj, Ilir Mulaj, në datën 8 nëntor 1994, ka vrarë Zeqë Nezën në Tropojë, baba i 5 fëmijëve dhe është dënuar me 23 vite burg; por ka falsifikuar dëshmitë e provat dhe është dënuar minimalisht vetëm për armë-mbajtje e leje dhe vrasje për vetë-mbrojtje.
Nuk ka treguar, se vëllai i saj, Admir Mulaj, biznesmen me firmë ndërtimi, ku ka punuar në të zezë dhe Natasha Mulaj (Haklaj) për 3 vite; është subjekt administrativ e penal; për grabitje trojesh me dhunë e falsifikim, për evazion fiskal, për falsifikim dosjesh koncesionare HEC-i dhe mashtrim e shantazh ndaj ortakut italian, për vlerën financiare 205 mijë euro; apo siç është dhe rasti i mashtrimit të biznesmenit Eduard Dauti, me kontratë-shitje banese false 241 mijë euro, të menaxhuar nga Natasha Mulaj (Haklaj).
Nuk ka treguar, se vëllai i saj Vladimir Mulaj, ka aktivitet me ngarkesa penale, për shkak punësh të pista, si i lidhur me individë të botës së krimit; për pasojë, natën Vitit të Ri 2019, i vendosën tritol në banesë, kur festonte bashkë me motrën Natasha Mulaj (Haklaj).
Mesnatën e 20 shkutit 2020, Kryetares së KPA, iu arrestua vëllai Evis Mulaj; për aktivitet biznesi ilegal lojëra bixhozi, të cilat në Shqipëri, janë të ndaluara me ligj të posaçëm.
Megjithëse këto prova, janë të dokumentuara në institucionet e drejtësisë dhe administratës shtetërore; Kryesia e Kuvendit, nuk po nis procedurat për shkarkimin e Kryetares së KPA, Natasha Mulaj (Haklaj).
Përsa i përket kallëzimit të Dacit, në të thuhet se për të plotësuar këtë kriter Daci ka bashkëlidhur vetëm dokumentin “Leje e ushtrimit të profesionit” të vitit 2000 dhe asnjë dokument tjetër.
Ndërsa pas rihapjes së garës, ka paraqitur një vërtetim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, sipas të cilit ishte anëtar prej vitit 2000 dhe se, nuk ka marrë masë disiplinore, si dhe ka shlyer detyrimet financiare ndaj Dhomës së Avokatisë. Kallëzuesit pretendojnë se zotërimi i lejes së ushtrimit të profesionit të avokatisë nuk vërteton ushtrimin faktik të profesionit.
Në denoncim thuhet se edhe nëse merret i mirëqenë pretendimi i Dacit se ka ushtruar profesionin e avokatit edhe përpara tetorit 2007, atëherë ka kryer evazion fiskal. “…Ose ka pasqyruar të dhëna të rreme në aplikimin e tij të datës 03.02.2017, paraqitur përpara Avokatit të Popullit, për shkak se ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë jo më pak se 15 vjet, ose e ka ushtruar atë vërtetë, por ka fshehur të ardhurat e krijuara nga ky aktivitet, për të shmangur pagimin e detyrimeve tatimore…”, citohet në kallëzim.
Sipas “BIRN”, pretendimet kundër Ardian Hajdarit janë:
Kallëzuesit e denoncojnë edhe anëtarin tjetër të KPA, Ardian Hajdarin për të njëjtat veprat penale si kolegun e tij, Daci.
Ata pretendojnë se nga kërkimet e tyre kanë siguruar të dhëna se Hajdari ka paraqitur pranë Avokatit të Popullit, dokumente me përmbajtje të falsifikuar, me qëllim që të zgjidhej anëtar i institucioneve të rivlerësimit.
Sipas denoncuesve Hajdari ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 17 vjeçare.
“Ndryshe nga sa ka deklaruar para Komisionit Ad Hoc të Kuvendit, ai në CV-në e tij ka pasqyruar se ka ushtruar profesionin e avokatit nga viti 2002-2004 dhe nga viti 2006 e në vazhdim. Pra, edhe sipas të dhënave të CV-së së tij, ai ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë maksimale prej 13 vitesh”, pretendojnë kallëzuesit të cilët shtojnë se, përvoja tjetër profesionale si jurist në Hidrocentralin e Komanit dhe Bashkinë e Vaut të Dejës nuk përfshihet në grupin e profesioneve të parashikuara në ligj.
Në kallëzim thuhet se Hajdari ka gënjyer dhe ka deklaruar të dhëna të pavërteta në Kuvend kur ka thënë se ka ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite. Denoncuesit argumentojnë se gjatë një pjese të kësaj periudhe ai nuk mund të punonte jurist në administratë dhe njëkohësisht të ushtronte profesionin e avokatit.
Lidhur me “fshehjen e të ardhurave”, kallëzuesit e bazojnë pretendimin e tyre në të dhënat publike të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit/Biznesit. Sipas tyre, Hajdari është regjistruar për herë të parë në organet tatimore për të ushtruar profesionin e avokatit, në prill të 2007-ës. Në kallëzim thuhet se ai nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore para kësaj periudhe dhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore për ushtrimin e profesionit të avokatit.
Veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, denoncuesit e bazojnë në deklarimin e pasurisë nga Hajdari, para fillimit të detyrës si gjyqtar në KPA.