Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, mbi efektet që do të ketë pandemia në vendet me të ardhura të mesme, ciohet se ekonomia e Shqipërisë do të jetë më e rrezikuara.
“Monitor.al” raporton se borxhi publik i vendit tonë rrezikon të rritet me 11 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Shqipëria përfshihet në 15 vendet që rrezikon rritje të madhe të borxhit ndër 106 vende me të ardhura të mesme.
Borxhi publik arriti në 65.8% të PBB-së në fund të vitit 2019, por sipas analizës së Bankës Botërore, pandemia do ta çojë këtë tregues në 76.8% të PBB-së.
Shqipëria rezulton me borxhin më të lartë në rajon.
FMN rekomandon për vendet në zhvillim rreth 60% të PBB-së, ndërsa ka ezauruar tërësisht hapësirën fiskale, pasi ka përqindjet më të larta të tatimeve dhe taksave në rajon.
Monitor.al shkruan se sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, vjet në këtë periudhë, balanca buxhetore ishte me 400 milionë lekë plus.
Ajo që e ka ndryshuar gjithë situatën për keq ka qenë pandemia e Covid-19, ku efekti është ndjerë në tkurrjen e të ardhurave të shumë bizneseve.
Shumë prej tyre ulën përfundimisht qepenat, sidomos baret e restorantet.
Të ardhurat kanë rënë me ritme të forta nga parashikimet fillestare.
“Rënia e të ardhurave e shoqëruar me shpenzime të njëjta si në vitin e kaluar, ka çuar deficitin buxhetor në janar-maj në -26 miliardë lekë.
Me rishikimin e buxhetit në qershor, Ministria e Financave pret të zgjerojë deficitin buxhetor në nivelin në -5% të PBB-së”, thuhet më tej.
Edhe në raportin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, parashikohej se ekonomia shqiptare këtë vit do të pësojë goditje të madhe si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
E gjithë goditja është parashikuar se do të vijë si pasojë e mungesës së turizmit.
Prodhimi i Brendshëm Bruto do të bjerë me 9%.
Kjo goditje pritet të ketë një ndikim afatgjatë shoqëror.