Klodian Mërtiri, i cili njihet edhe si Mirel Mërtiri dhe si Ilir Dedja (biznesmeni i inceneratorëve) është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zimbabve për korrupsion, për një tender të pajisjeve mjekësore për Covid-19, me vlerë 60 milionë dollarë.
Për këtë ngjarje ra në pranga edhe edhe Ministri i Shëndetësisë i Zimbabve.
Kujtojmë se administratori i kompanisë së Mërtirit, Delish Nguvëaya (ky një biznesmen nga Zimbabve), ka qenë më parë i dënuar për pastrim parash dhe ka rënë së fundmi në pranga.
Nguëaya ka një të kaluar kriminale, përfshirë arrestime të shumta për grabitje me armë dhe posedim kokaine.
Pak ditë më parë qeveria e Zimbabves urdhëroi anulimin e tenderit 60 milionë USD që agjencia shtetërore shëndetësore, “Natpharm” kishte lidhur me kompaninë “Drax International” të biznesmenit shqiptar, Ilir Dedja, nën dyshime për aferë korruptive.
Skandali, i cili po zhvillohet prej dy muajsh në vendin afrikan, zbulon për herë të parë edhe fytyrën e “njeriut-hije” të inceneratorëve në Shqipëri, Klodian (alias Mirel Mërtiri).
Sipas “Pamfleti.net”, Mërtiri, i cili deri tani njihej vetëm si emër që qëndron pas inceneratorëve në pronësi formale të Klodian Zotos, është paraqitur në Zimbabve me emrin Ilir Dedja.
Agjencia e lajmeve “Zimlive”, e cila ka raportuar më herët për skandalin e tenderit të ilaçeve, ka publikuar një foto të zyrtarëve të lartë të atij vendi, me biznesmenin shqiptar Ilir Dedja (Klodian Mërtiri) dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Në shkrimin e “Zimlive”, Ilir Dedja raportohet si biznesmen shqiptaro-italian, pronar i kompanisë “Drax International”, e njohur edhe me emrin tregtar “Drax Consult SAGL”.
Skandali me tenderin 60 milionë euro
Qeveria e Zimbabves e ka anuluar disa ditë më parë tenderin e korruptuar në vlerë 60 milionë dollarë, e cila rezulton e lidhur me një prej djemve të Presidentit të vendit, Emmerson Mnangagva.
E ndërkohë në vendin tonë, anullimi i tenderave ka ndodhur shumë rrallë, për të mos thënë aspak.
Kujtojmë këtu tenderin e Unazës së Re, për të cilin u protestua gati një vit nga banorët e Astirit.
Për tenderin korruptiv të “Unazës së Re”, u ngrit zëri nga Partia Demokratike, ku pati shumë përplasje dhe shoqërime të qytetarëve të thjeshtë në polici, por asnjë ministër nuk u arrestua.
Në vendin tonë, arrestimet e ministrave, numërohen me gishtat e dorës, pavarësisht se provat kanë qenë të shumta për të ndodhur disa arrestime ministrash.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në vendin tonë nuk i “ndihet zëri”.
Duket sikur kryen disa punë që duhet t’i ketë në ngarkesë Prokuroria.
Mesa duket Shqipëria qenka shumë mbrapa Zimbabve edhe për nga sistemi i drejtësisë.
Kjo vërtetohet në atë që thamë më lart, që nuk ka asnjë ministër të arrestuar në lidhje me tenderat korruptivë e fantazëm që janë miratuar nga qeveria.
Anulimi i tenderit, sipas “Zimlive”, vjen pasi disa raportimeve mediatike vendase zbuluan se kontrata për pajisje mjekësore dhe medikamente ishte nënshkruar me kompaninë e shqiptarit, e cila nuk rezultonte e regjistruar në regjistrin përkatës shtetëror.
Kompanisë “Drax International” ose “Drax Consult Sagl” i janë dhënë dy kontrata, me vlerë 20 milionë dhe 40 milionë dollarë, për furnizimin me pajisje mjekësore dhe medikamente.
Kompania “Drax” është regjistruar në Dubai dhe Zvicër me pronar të vetëm Ilir Dedja, një shqiptar me shtetësi italiane.
Pas raportimeve mediatike, Ministria e Shëndetësisë e Zimbabves ka urdhëruar kompaninë shtetërore farmaceutike “National Pharmaceutical Company-Natpharm” që të zgjidhë të gjithë kontratat me “Drax”.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Gibson Mhlanga, në një shkresë që i ka dërguar “Natpharma” në 5 Qershor 2020, shkruan:
“Urdhëroheni që të anuloni menjëherë të gjitha kontratat që keni me ‘Drax SAGL’.
Ju lutem, mbani në vëmendje që ky proces duhet të përfundojë brenda datës 12 Qershor 2020 dhe i gjithë dokumentacioni mbi anulimin e kontratave duhet të dorëzohet në zyrën time”.
Ministri Mhlanga, i cili nuk ka shpjeguar në shkrësë arsyet e kërkesës për anulim, kërkon nga kompania “Natpharma” që “të trajtojë rastin me urgjencë dhe seriozitetin e duhur”.
Dokumentat e publikuar nga media e vendit afrikan tregojnë se kompania “Drax International” ka rritur në mënyrë abuzive çmimet e mallrave që do të furnizonte agjencinë shtetërore “Natpharma”.
Deri më tani, është ende e paqartë se sa nga fondi 60 milionë USD është arkëtuar në llogaritë e “Drax International” të biznesmenit shqiptar Ilir Dedjas (Klodian Mërtiri).
Kush është Ilir Dedja (Klodian-Mirel Mërtiri)
Ilir Dedja, ose Klodian (Mirel) Mërtiri është një emër që gjendet në historinë e re të inceneratorëve të mbetjeve urbane në Shqipëri.
Ai rezulton me lidhje në të tre inceneratorët, biznese që njihen formalisht me emrin e Klodian Zotos.
Klodian (Mirel) Mërtiri, i cili në Zimbabve është paraqitur me emrin Ilir Dedja, është një lidhje e ngushtë e biznesmenes Stela Gugallja, pronare e “Albtek Energy”, kompani e cila zotëron kontratën koncensionare të inceneratorit të Elbasanit.
Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrit në Shqipëri (QKR), Mirel Mërtiri rezulton administrator i kompanisë “C.G.C”. Kjo kompani kontrollohet në 70 përqind nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.
Kompania “C.G.C”, deri në vitin 2018, ka qenë në pronësi të Stela Gugallja.
Sipas “Pamfleti.net”, Klodian (alias Mirel) Mërtiri rezulton të jetë bashkëpronar në kompaninë “EM Capital”, të regjistruar në Sofje, Bullgari.
Mirel Mërtiri është pronar i kompanisë off-shore ‘KL Group”, e regjistruar në Maltë.
Mirel Mërtiri është administrator i kompanisë “E.R One”, në pronësi të Stela Gugallja dhe kompanisë italiane ‘Energy Recuperator”, në pronësi të Ernesto Granelli.
Ernesto Granelli rezulton të jetë një nga bashkëpunëtorët e Klodian Zotos në kompaninë “Integrated Technology Service”, e regjistruar në Hollandë dhe që ka në pronësi inceneratorin e Tiranës.