Prej orës 17:00 po zhvillohet mbledhja e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, mirëpo bashkëkryetarja dhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari ka vendosur që të bojkotojë punimet e sotme.
Edhe në mbledhjen e kaluar, Hajdari braktisi Këshillin me arsyetimin se nuk mund të qëndrojë në një tryezë ku palët politike diskutojnë për tendera.
Pika që ka krisur palët është KQZ-ja e re, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të saj, që kërkon që procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së ta inicioi Kuvendi (jo më nga Avokati i Popullit si në variantin e parë), por komisioni përzgjedhës të mos jetë i përbërë nga deputetë, por nga juristë që i propozojnë palët politike, PS, PD dhe LSI, pra KQZ të mbetet sërish politike.
Dy ditë pas kontestimit të Partisë Socialiste për formulën për KQZ e re, Partia Demokratike ka dërguar një tjetër propozim në tryezën e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore.
Kështu që mbledhja e sotme do të zhvillohet vetëm në praninë e përfaqësuesit të maxhorancës, Damian Gjiknurit dhe atyre të opozitës jashtëparlamentare, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.
Hajdari ka ngritur pikëpyetje për Këshillin Politik që u mblodh për të reformuar sistemin zgjedhor, por sistemi nuk ndryshoi.
PD-PS dhe LSI ranë dakord se sistemi aktual është më mirë, ndërkohë që e gjithë “lufta” që ka bërë PD ka qenë për ndryshimin e sistemit.
Hajdari shprehet se opozita parlamentare me në krye Lulzim Bashën e bëri luftën vetëm për një tender, atë për identifikimin biometrik.
Deputetja u shpreh e indinjiuar duke thënë se për një kohë të gjatë Basha nxorri njerëzit në rrugë për të bërë revolucion dhe po ja dilte, por tenderi ja kishte ndryshuar mendjen.
Kujtojmë këtu një deklaratë të kryeministrit Edi Rama në foltoren e Kuvendit të datës 4 qershor në lidhje me depolitizimin e komisioneve, firmosjen e kontratës dhe tenderin që do ta linte në dorë të PD duke thënë se gjithçka me tenderin do të ndodhte në mënyrë të përshpejtuar dhe se madje nuk do të merrnin fare pjesë në mënyrën sesi do ta organizonte PD ndarjen e punës dhe se kë do të zgjidhte Basha për të bërë elektronikën.
Tenderi i identifikimit biometrik nuk është zënë në gojë nga dy palët politike më të mëdha në vend dhe “lufta” ka vazhduar në rrjetet sociale midis liderëve.
E vetmja që po i kundërshton dhe që po u nxjerr të “palarat” dhe marrëveshjet larg syve dhe veshëve të mediave është deputetja Rudina Hajdari.
Rama u shpreh në foltoren e Kuvendit në datën 4 qershor se ishte i gatshëm të pranonte me çdo kusht çdo zgjedhje të PD vetëm që ky proces i tenderit të realizohej 100%.
Kryeministri shprehu se nuk kishte as dëshirën më të vogël për të ndërhyrë në çdo gjë që do të bënte PD, ta bënin si të donin vetë dhe ata do të ishin “ok”.
Por një deputet në radhët e PD-së, i cili nuk ka rënë asnjëherë në sy të mediave apo dhe në sy të deputetëve është Endri Hasa.
Sipas disa burimeve të “gazetareforma.com”, mendohet se Hasa do të jetë edhe fituesi i tenderit për identifikimin biometrik.
E gjithë heshtja nga lideri i Partisë Demokratike vjen se ky tender do t’i jepet pa negocim deputetit Endri Hasa.
Ky i fundit që nuk ishte ndjerë kurrë në Kuvend, ka qenë drejtori i AKSHI (Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit: në vitet 2010-2013.
Si drejtori i këtij institucioni të rëndësishëm, ai ka pasur në kontroll të gjithë sistemin e sigurisë kibernetike dhe teknologjinë e të gjitha institucioneve më të rëndësishme në vend.
Hasa akuzohet se fshiu serverat e ngjarjes së 21 janarit të vitit 2011, kur në shesh mbetën të vrarë 4 qytetarë.
Hasa sot është deputet i PD dhe mund të ketë një “as” nën mëngë që mendohet se do të jetë fituesi i tenderit për identifikimin biometrik, për të cilin ka ende shumë zëra dhe pati një luftë të gjatë midis PD dhe PS, ku madje u pa e nevojshme edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve.