Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me propozimin e kreut të ekzekutivit Edi Rama, për të vendosur Gent Cakajn në krye të diplomacisë shqiptare.
Ka qënë deputeti i selisë blu, Flamur Noka, ai që ka folur pas reagimit të Drejtorisë së Sigurimit dhe Informacionit të Klasifikuar, në lidhje me certifikatën për verifikimin e sigurisë për Cakajn.
Deputeti i opozitës, tha se DSIK-ja e pranoi vetë që është vegël politike e Ramës, duke shkelur ligjin.
Akuzat e Nokës, i referohen marrjes brenda 24 orëve të certifikatës së sigurisë të dhënë nga DSIK-ja ndaj Gent Cakajt.
“DSIK pranoi vete e zeza mbi te bardhe se eshte ne shkelje te ligjit dhe nje vegel politike ne duart e Edi Rames.
Drejtoria e Sigurisë për Informacionin e Klasifikuar pranoi që më të preferuarin e Edi Ramës bëri atë që nuk e ka bërë për asnjë zyrtar që duhet të pajiset me certifikatë sigurie: e verifikoi brenda 24 orëve.
Nuk ka asnjë mundësi reale që një person të verifikohet për 24 orë në dy shtete. Shkelja e ligjit është e padiskutueshme në të gjithë proceduren e ndjekur nga DSIK me urdhrin e Edi Ramës.
Rasti Cakaj tregoi se Edi Rama e ka shndërruar DSIK në një kioskë dizinformuese dhe lavatriçe të punëve të pista të qeverisë, duke rrënuar seriozitetin e shtetit shqiptar në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
Në vend që partnerët të na shohin si një shtet serioz, Edi Rama u tregon atyre se sekreti shtetëror i një vendi të NATO- administrohet në mënyrë banditeske për interesa thellësisht personale dhe shpesh herë, kundër interesit kombëtar.”-pohoi Noka.
Ndërkohë më herët, DSIK reagoi pas akuzave të Presidentit Ilir Meta duke thënë se Cakaj disponon certifikatën e sigurisë si një shtetas shqiptar.
“DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare)”, thuhet më tej në njoftimin e DSIK.
DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ.“-thuhej në njoftim.