Teksa shumë vende kanë nisur lehtësimin e masave anti-Covid-19, ku po rihapen edhe kufijtë, duket se Australia është vendi i vetëm në botë që mund të mos hapet deri në vitin 2021.
Ministri i Tregtisë Simon Birmingham ka deklaruar ditën e sotme se kontinet-shteti nuk do presë turistë të huaj deri vitin e ardhshëm, teksa po punon për vendosjen e protokolleve për studentët dhe vizitorët e tjerë afatgjatë.
Pavarësisht se Australia ishte një ndër vendet që arriti të menaxhojë më së miri situatën e Covid-19, autoritetet besojnë se suksesi erdhi vetëm prej frenimit të udhëtimeve ndërkombëtare dhe rregullave të forta për distancimin social.
Deri më tani Australia ka regjistruar më shumë se 7,300 raste me Covid-19 dhe 102 viktima, duke mbetur një nga vendet që e ka menaxhuar më së miri pandeminë.
Si ia doli Australia ?
E gjitha filloi me masat e hershme, duke ndaluar hyrjet në zonat me rrezik të lartë, teksa më 1 shkurt, shteti australian mbylli kufijtë për të gjithë vizitorët e huaj që kishin qenë kohët e fundit në Kinë, ku shpërthimi u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.
Më pas, Australia ndaloi hyrjet nga Irani, Koreja e Jugut dhe Italia në fillim të marsit, dhe më vonë mbylli plotësisht kufijtë e saj për shtetasit e huaj, shkruan CNN.
Gabimi i kontinentit-shtet ishte lejimi i më shumë se 2,600 pasagjerë të zbarkonin nga anija e lundrimit Ruby Princcess në Sidnei, që bëri që nga aty të regjistronin mbi 600 raste dhe 15 vdekje.
Kështu, më 22 mars të gjitha baret, klubet, kinematë, palestrat, dhe vendet e adhurimit, u mbyllën, ndërsa restorantet dhe kafenetë ofronin vetëm shërbimin “delivery”.
Deri në fund të marsit, autoritetet vendosën rregulla më të rrepta për distancimin shoqëror, duke kufizuar tubimin publik për dy persona nga 10, sa ishte më parë, teksa njerëzve u kërkohej të rrinin në shtëpi dhe të dilnin vetëm për “çështje themelore” siç është pazari për ushqim, ushtrime , dhe për arsye mjekësore.
Sakaq, një tjetër faktor suksesi është edhe testimi masiv, i provuar edhe në vende të tjera, si ‘rrugë shpëtimi’.
Më 25 mars, Australia zgjeroi kriteret e testimit duke përfshirë të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e kujdesit për të moshuar, të burgosur dhe njerëzit në vendet e tjera të identifikuar me ethe ose simptoma të frymëmarrjes akute.